Zyrtarët publikë kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhje me këto kushte

Edhe nëpunësit publikë kanë të drejtë pjesëmarrje në zgjedhje, por ata duhet t`i respektojnë disa rregulla para se të hyjnë në këtë proces, shkruan gazeta online Mediafokus.info

Ligji nr. 06/L-114 për zyrtarët publikë përcakton qartë të drejtat politike për zyrtarët publikë të cilët dëshirojnë të merren me aktivitete politike.

Një zyrtar publik ka të drejtë të kandidojë dhe të zgjidhet në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës apo për organet komunale, përveç kur përcaktohet ndryshe me ligj.

Zyrtari publik i cili kandidon në zgjedhje qendrore ose lokale, duhet të pezullojnë vendin e punës shtatë ditë para periudhës së hapjes zyrtare të fushatës. Pezullimi përfundon pesë ditë pas mbylljes zyrtare të fushatës.

Të gjithë zyrtarët publikë të cilët shfrytëzojnë të drejtat e tyre, sipas ligjit, duhet të dorëzojnë pezullimin e vendit të punës në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, ku ata punojnë, me qëllim që njoftimin për pezullim ta përcjellin tek Divizioni i Pagesave në Ministrinë e Financave.

Nëse zyrtari publik zgjidhet në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe pranon mandatin, atëherë pezullon marrëdhënien e punës prej datës së certifikimit të zgjedhjes deri në përfundim të mandatit përkatës.

Pas përfundimit të mandatit, ka të drejtë të kthehet në marrëdhënie pune në institucionin ku ka qenë, sepse kjo e drejtë i garantohet me ligj. /Mediafokus.info