Zyrtari i lartë i NATO-s u bën thirrje bizneseve të përgatiten për ‘skenarë lufte’

Drejtori i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali holandez, Rob Bauer, u bëri thirrje bizneseve të hënën që të jenë të përgatitura për një skenar lufte dhe që t’i përshtatin linjat e tyre të prodhimit dhe shpërndarjes në përputhje me rrethanat me qëllim që të jenë më pak të ndjeshme ndaj shantazhit prej shteteve si Rusia dhe Kina.

“Nëse mund të sigurohemi që të gjitha shërbimet dhe mallrat vendimtare mund të shpërndahen pavarësisht gjithçkaje, atëherë kjo është një pjesë kyçe e parandalimit tonë” – tha në Bruksel admirali Bauer, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Duke folur në një tubim të Qendrës Evropiane të Politikave, ai e përshkroi parandalimin si diçka që shkon shumë përtej kapacitetit ushtarak, pasi të gjitha instrumentet në dispozicion do të mund dhe do të përdoreshin në luftë.

“Ne po e shohim këtë me rritjen e numrit të veprimeve sabotuese dhe Evropa e ka parë këtë me furnizimin me energji” – shtoi ai.

“Ne mendonim se kishim një marrëveshje me Gazprom-in, por në të vërtetë ne kishim një marrëveshje me z. Putin dhe e njëjta vlen për infrastrukturën dhe mallrat në pronësi të Kinës. Ne në të vërtetë kemi një marrëveshje me Xi-në [presidentin kinez” – tha më tej zyrtari i lartë i NATO-s.

Ai e vuri në pah varësinë perëndimore nga furnizimet prej Kinës, pasi 60 për qind e të gjitha materialeve me lëndë të rralla prodhohen dhe 90 për qind e tyre përpunohen atje. Ai tha se përbërësit kimikë për ilaçe qetësuese, antibiotikë, kundër inflamacionit dhe shtypjes së ulët të gjakut gjithashtu vijnë nga Kina.

“Jemi naivë, nëse mendojmë se Partia Komuniste nuk do ta shfrytëzojë kurrë këtë fuqi. Udhëheqësit e bizneseve në Evropë dhe në Amerikë duhet të kuptojnë që vendimet tregtare që ata i marrin kanë pasoja strategjike për sigurinë e kombit të tyre” – theksoi holandezi Bauer.

“Bizneset duhet të jenë të përgatitura për një skenar lufte dhe t’i përshtatin linjat e tyre të prodhimit dhe shpërndarjes në përputhje me rrethanat, sepse përderisa ushtria mund t’i fitojë betejat, ekonomitë janë ato që i fitojnë luftërat” – paralajmëroi ai./Nacionale