Zyrtari i morgut: Çdo ditë kam kontakt me kufomat e koronavirusit, por nuk jam pjesë e pakos emergjente

Ymer Ibishi, zyrtar i morgut në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan po ndihet i dëmtuar padrejtësisht, për shkak se është përjashtuar nga pakoja emergjente e qeverisë për punëtorët shëndetësorë, ndërkohë që puna e tij ka të bëjë drejtpërdrejt me kufomat e koronavirusit, shkruan gazeta online Mediafokus.info

Pavarësisht se puna në morg ka rrezikshmëri të lartë në kuptimin e mundësisë së infektimit me Covid-19, Ymerit i duhet të merret me kufomat dhe familjet e tyre që vijnë me lot e vaj për t`i marrë më të dashurit e tyre, pasi e kanë humbur betejën me virusin.

“Pa marrë parasysh rrezikun, unë si besimtar që jam, po mundohem të ndajë dhembjen me familjarët dhe sado pak t`ua lehtësojë pikëllimin për humbjen e njerëzve të tyre të dashur”, thotë Ibishi për Mediafokus.info

Por, ky rrezik, Ibishit nuk po i njihet nga qeveria e vendit, përkatësisht nga institucionet shëndetësore.

“Kolegët e mi në QKUK dhe nëpër qendrat tjera spitalore të regjionit janë përfshirë në pakon emergjente për shëndetësi, ndërsa mua më është refuzuar kjo e drejtë”, sqaron Ibishi.

Ai konsideron se po diskriminohet pa të drejtë. Dhe, pavarësisht diskriminimit që po i bëjnë institucionet, Ibishi lutet që pandemia të kalojë sa më shpejt dhe populli të lirohet nga ky virus që po merr jetë çdo ditë.

“Lutja dhe dëshira ime është që të kalojë kjo situatë dhe njerëzit t`i kthehen jetës normale, familjes dhe punës së tyre”, thotë zyrtari i morgut në Spitalin e Gjilanit, Ymer Ibishi, i cili çdo ditë ‘bashkëjeton’ me të vdekurit dhe i ekspozohet rrezikut për infektim./Mediafokus.info

……………………………………………………………..

(Ndalohet kopjimi ose huazimi i lajmeve pa e cituar burimin)