34-vjeçari që u gjet pa shenja jete në shtëpi, është Ardian Matoshi
Më 22 shtator u gjet pa shenja jete në shtëpinë e tij një 34-vjeçar në Gjilan.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Ardian Matoshin, i cili është gjetur nga nëna e tij, i shtrirë në shtratin e gjumit.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rreth orës 15:30 është pranuar njoftimi për rastin, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante, hetuesit rajonalë, krimteknika, Prokurorja e Shtetit, ekipi mjekësor emergjent dhe hetuesit e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e 34-vjeçarit, ndërsa më pas është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Sipas të dhënave fillestare dhe ekzaminimit të bërë në vendngjarje, nuk ka elemente që krijojnë dyshim se vdekja ka qenë e dhunshme.
Shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet pas ekzaminimeve mjekoligjore.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave do të vazhdojnë.
Ardian Matoshi, i njohur si “Ciga” ishte një nga zërat e njohur të tifogrupit “Intelektualët” dhe një mbështetës i madh i Dritës.
Një familjar ka bërë të ditur se për orën dhe vendin e varrimit, si dhe për kohën dhe vendin e të pameve, familja do të njoftojë me kohë.
