49-vjeçari vdes pasi ra nga një objekt në Veternik ku ishte duke punuar
Një 49-vjeçar ka vdekur të hënën, më 24.08.2026, në lagjen Veternik të Prishtinës, pasi ka rënë nga një lartësi derisa ishte duke punuar.
Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 10:00, kemi pranuar informatën se një person ka rënë nga një lartësi (objekt) në lagjen Veternik në Prishtinë, derisa ishte duke punuar”- tha Ahmeti.
Ajo ka thënë se viktima nuk ka arritur t’u përballojë plagëve dhe ka vdekur në vendin e ngjarjes.
“Viktima mashkull, 49 vjeç, nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”- tha ajo.
Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e këtij rasti, në koordinim me Prokurorinë dhe Inspektoratin e Punës.
Më 28.07.2026, një punëtor 26-vjeçar vdiq dhe një tjetër u lëndua pasi u rrëzua një vinç gjatë montimit në një kantier ndërtimi në Prishtinë.

