Kosova nuk ka luksin të presë më – as për kryetare Kuvendi, as për drejtësi, as për dinjitet

Zaki Asllani

Sot, Kosova është dëshmitare e një tjetër dështimi – i 30-ti me radhë në përpjekjen për të zgjedhur kryetaren e Kuvendit.

Kjo nuk është më një çështje procedurale apo teknike; kjo është një krizë e thellë politike që po gërryen themelet e besimit qytetar dhe po i jep një shuplakë të rëndë demokracisë që shumë e kanë ëndërruar dhe sakrifikuar për ta ndërtuar.

Qytetari i Kosovës sot është i zhgënjyer dhe i harruar.

Ndërsa partitë politike bëjnë pazare për poste, qytetari përballet me rritje të çmimeve, me shkatërrim të bizneseve vendore dhe me një jetë të përditshme që bëhet gjithnjë e më e vështirë.

A kanë më rëndësi hallet e qytetarit kur betejat zhvillohen vetëm për kolltukë?

A po i shërben ky Kuvend interesit publik, apo është kthyer në një arenë ku egoja dhe etja për pushtet e kanë zëvendësuar përgjegjësinë politike?

Dështimi i përhershëm për të zgjedhur një kryetare të Kuvendit nuk është më thjesht një çështje e mungesës së numrave – është një simptomë e thellë e mungesës së vullnetit për të bashkëpunuar, për të ndërtuar institucione funksionale dhe për të dëgjuar zërin e qytetarëve.

Kjo është një shkelje e drejtpërdrejtë e kontratës që politikanët kanë me votuesin.

Sot, në vend që të jepnin llogari, shumë prej atyre që mbajnë pushtetin ose synojnë ta marrin, fshihen pas lojërave politike.

Askush nuk del të thotë: “Po, kemi dështuar. Po, kemi humbur besimin tuaj.”

E vërteta është se besimi është thyer dhe ai nuk rikthehet me fjalë boshe, por me vepra konkrete.

Sot, çdo politikan që ka dështuar të përfaqësojë vullnetin e qytetarit duhet të dalë hapur dhe të japë llogari.

Sepse Kosova nuk ka luksin të presë më – as për kryetare Kuvendi, as për drejtësi, as për dinjitet.