Të akuzuarit në rastin “Toka 2” dënohen me gjithsej 32 vite burgim dhe 230 mijë gjobë
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj katër të akuzuarve në rastin “Toka 2” – Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Avni Maxhuni dhe Nexharije Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mehmet Prishtina është dënuar me 10 vjet burgim dhe 100 mijë euro gjobë për veprën penale “Krim i organizuar”.
Dukagjin Emërllahu dhe Nexharije Hoti janë dënuar me nga 8 vjet burgim për të njëjtën vepër penale.
Emërllahu është dënuar edhe me 80 mijë euro gjobë, ndërsa Hoti me 20 mijë euro gjobë.
Ndërkaq, Avni Maxhuni është dënuar me 6 vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë.
Gjykata i ka liruar të akuzuarit nga akuza për veprën penale “Shpëlarje e parave”.
Ndërkaq, gjykata ka urdhëruar konfiskimin e 45 ngastrave kadastrale, si dhe të mjeteve financiare që gjenden në llogaritë bankare në emër të të akuzuarve Mehmet Prishtina dhe Dukagjin Emërllahu./BetimiperDrejtesi/

