Presidenti duhet të zgjidhet deri më 6 tetor – Kushtetuesja përcakton afatin

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka përcaktuar datën e fundit deri kur duhet të bëhet zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Në aktgjykimin e publikuar më 23 shtator 2026, Kushtetuesja ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Ky afat lidhet me dispozitat e nenit 82 të Kushtetutës së Kosovës për shpërndarjen e Kuvendit, si dhe me nenin 86, që përcakton procedurën për zgjedhjen e Presidentit.

“VI. TË KONSTATOJË që afati gjashtëdhjetë (60) ditor për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, sipas nënparagrafit 3, paragrafit 1 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026”, thuhet në vendim.

Kushtetuesja ka konstatuar gjithashtu se kalimi i afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit ka pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit, kur posti i Presidentit është vakant.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është marrë më 23 shtator 2026, lidhur me kërkesat e bashkuara KO256/26 dhe KO258/26 të dërguara nga PDK.