Kështu jetonte familja Ajeti para se të bëhet me shtëpi të re
Familja Ajeti nga Lipovica e Gjilanit, dje është bërë me shtëpi të re dhe tani e tutje do jetojë në kushte më të mira, falë Komunës dhe donatorëve.
Mediafokus ju sjellë një reportazh për jetën e kësaj familje, në fshatin Lipovicë, i cili është realizuar para 6 vitesh.
……..
Familja Ademi në Lipovicë të Gjilanit, bënë jetë të vështirë. Shtëpia ku jeton kjo familje është e mbushur me varfëri, kurse prindërit Ajeti ndejnë dhembje në zemër për fëmijët e tyre.
Atyre u kanë vdekur dy fëmijë brenda një viti. Babai Ajeti nuk e di shkakun e vdekjes së hershme të fëmijëve të tij, njëra 7 e tjetra 2.5 vjeçe. “Prej skamjes”, thotë ai.
Edhe një fëmijë tjetër, që i ka mbushur 6 vjeç, nuk ecën ende. Nuk dihet se çfarë fati do të ketë më vogla.
Ajeti ka edhe dhembjen e vetë, si invalid që është dhe nuk mund të bëjë asgjë për të mirën e familjes. Atij i mungon shputa e njërës këmbë.
Para 22 vitesh, mjekët ia kanë amputuar një pjesë të gjymtyrës së majtë, shkaku i gangrenës. Duhej shpëtuar pjesa tjetër. Po të mos i prehej gjysma e shputës, gangrena mund t`ia “hante” tërë këmbën dhe trupin, çdo ditë nga pak.
As me këmbën tjetër, të djathtën, nuk është rehat. Ka dhimbje edhe andej. Thotë se varfëria e ha edhe njeriun. Pos i varfër, ai është edhe i vetëm. Nuk ka prindër, nuk ka vëlla, nuk ka as motër. As fqinjë nuk ka afër. Rrallëkush ia qel derën ndonjëherë Ajetit, për ta parë se çka i ka hallet. E ndjen shumë vetminë. Ka mall të ndërrojë një fjalë me dikë.
Ai ka nevojë për ushqim, për veshmbathje, për ujë e për dru, sepse vetë nuk mund të sigurojë asgjë. Nuk ka gjë të gjallë para shtëpisë, pos mizave, të cilat verës e mbushin shtëpinë, për t`i bezdisur edhe më shumë fëmijët e kësaj familje, që jetojnë në botën e tyre të vogël.
Ata nuk dinë çka është kompjuteri, as telefoni, zor se kanë dëgjuar fjalën “facebook” nuk dinë si jeton bota përtej shtëpisë së tyre.
Gjithçka përfundon brenda atyre mureve të nxira nga tymi dhe te shporeti i zi, ku pjekin bukë e vlojnë ujë. Këtyre fëmijëve u mungon edhe qumështi. Lopë dhe bagëti thjerra nuk kanë. Vetëm kur blejnë ndonjë litër.
Ajeti thotë se kur nuk ka qumësht, shpeshherë mundohet ta pajtojë çikën e vogël me një shishe të zbrazët qumështi. Ose e mbush me ujë.
Ai varet nga një social, i cili nuk mjafton për të gjitha nevojat që kanë fëmijët dhe familja. Ajeti duhet të merret edhe me hallin e vetë. ‘Verës ia bëjmë disi, por kur kthemi prej dimri më kap sikleti sikur të më vinte vdekja”, thotë ai.
Shporeti i zi, të cilin e përdorin dimër e verë, do dru për t`u ndezur. Shumë herë, dimrat e kanë befasuar Ajetin. “Kur bie shumë borë, mezi dalim deri ta kroi për të mbushur kënatat ujë”, rrëfen ai.
Lipovica ka një lartësi të konsiderueshme mbidetare dhe një terren të thyer, ku dimrat vijnë të më të egër se në zonat tjera. Erërat a e rrahin fort këtë vend edhe në pikë të verës e lere më dimrit. Është zonë pranë kufirit Kosovë-Serbi.
……..
Familja Ajeti, dje u vendos në shtëpi të re në Gjilan, ku i ka kushtet e nevojshme për jetë. Kryefamiljari nuk pati fat ta pres këtë ditë. Ai iku nga kjo botë para disa javësh. /mediafokus.info/

