A mundet Serbia ta devijojë rrjedhën e lumit Ibër?
Mumin Morina
Deklarata e fundit e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër duhet të merret seriozisht.
Jo, sepse çdo deklaratë politike shndërrohet domosdoshmërisht në projekt, por sepse bëhet fjalë për ujin – një nga burimet më strategjike të Republikës së Kosovës.
Kjo nuk është një ide e re.
Në vitin 2024, Vuçiq kishte deklaruar se në territorin e Serbisë kishte ekzistuar një plan për devijimin e Ibrit, i cili do të ndikonte në akumulimin e ujit në Ujman.
Sot, në vitin 2026, e njëjta ide rikthehet në diskursin politik.
Edhe pse nuk kemi prova publike se Serbia ka filluar ndonjë projekt të tillë, Kosova duhet të veprojë para se një deklaratë politike të shndërrohet në projekt teknik.
Ibri nuk është thjesht një lumë.
Përmes Ujmanit dhe sistemit Ibër-Lepenc, ai lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ujore, energjetike, industrinë dhe bujqësinë e Kosovës.
Një reduktim serioz dhe i qëndrueshëm i prurjeve në Ujman do të mund të kishte pasoja të drejtpërdrejta në këto fusha.
Prandaj pyetja nuk është vetëm: “A mundet Serbia ta devijojë Ibrin?” teknikisht, pasi qe një ndërhyrje e tillë është e mundshme.
Pyetja kryesore është: a i lejohet shtetit Serb një veprim i tillë, kur dihet qe Ibri është ujërrjedhë ndërkufitare dhe ndryshimi i regjimit të tij mund të ndikojë drejtpërdrejt në Kosovë?
E drejta ndërkombëtare e ujërave bazohet në parimet e përdorimit të drejtë dhe të arsyeshëm, mosshkaktimit të dëmit ndërkufitar, bashkëpunimit, konsultimit dhe njoftimit paraprak.
Këto parime mbështeten edhe nga Konventa e UNECE-së për ujërat ndërkufitare dhe Konventa e Espoo-s për ndikimet ndërkufitare në mjedis.
Për këtë arsye, Kosova duhet ta ngrejë këtë çështje me partnerët evropianë, Shtetet e Bashkuara dhe institucionet relevante ndërkombëtare, duke e trajtuar si çështje të ujërave ndërkufitare dhe të sigurisë së infrastrukturës kritike, e jo vetëm si një tjetër përplasje politike Kosovë–Serbi.
Ndoshta një devijim i Ibrit nuk do të ndodhë kurrë. Por, duke pasur parasysh historinë e marrëdhënieve Kosovë–Serbi, një kërcënim që prek një burim kaq të rëndësishëm për Kosovën nuk mund të neglizhohet.
Pikërisht për këtë arsye, çdo iniciativë e tillë duhet të përcillet nga afër dhe të trajtohet me seriozitet, që Kosova të mos gjendet përballë një fakti të kryer.
Në fund të fundit, kur bëhet fjalë për Ibrin, nuk bëhet fjalë vetëm për një lumë. Bëhet fjalë për sigurinë ujore, energjetike dhe ekonomike të Republikës së Kosovës.
(Autori është ekspert i fushës së ujërave)

