Një derë e vogël

Avdush CANAJ

Është një derë.
Derë e vogël.
Jo e përrallës.
E kopshtit.
Rri hapur.
Nuk i ka humbur çelësi. Atë e ka një zog.
Atëherë pse nuk mbyllet?
Sepse.. sepse..
Pse po qesh? Fol!
Të dalin lulet në shëti sa herë të duan.
Ani, a dalin?
Si nuk dalin. Si të gjithë ne.
Kush me gjinse, kush minifund, fustane, pantallona të shkurta, dikush mbath sandale, dikush këpucë me take, një tjetër atlete me petale. Dhe fluturojnë në shëtitore.
E çbëhet kur të kthehen?
Vjen era, i pyet si kanë kaluar. Ato tregojnë me buzëqeshje fije për pe përjetime tyre fantastike!
Njëra thotë:
Shetita me një yll.
Tjetra tregon:
Një flutur më mori për dore. Ma vuri në gisht unazën e ylberit.
Zambaku qesh:
Mollëkuqja më ka gostitur me akullore.
Interesante!
Po, pra. Për atë rri hapur kjo derë.
Mbase e presin dikë lulet?
Ku po e di ti?
Jo, veç thashë.
E presin diellin. Dhe ai vjen. I puth me rend. I ledhaton me duart prej rrezesh. Ato bëhen edhe më të bukura. Ylberohen. Rriten me buzëqeshjen në sy. Bëhen këngë. Bëhen vjersha për fletore të zogjve. Edhe piktura t’i varin yjet në dhomat e tyre të mësimit.
E muzgu a vjen këtu?
Vjen.
Vjen edhe ai zogu i çelësit.
Bashkë ndezin yjet.
Pastaj nata shtrihet me ëndrra shumë.
E dera a mbyllet tash?
S’mbyllet.
Po natë është.
E di. Ai zogu e ka humbur çelësin. Gjatë fluturimit për në fole, i kishte rënë nga xhepi!
Ua!
Mos u shqetëso! Këtu askush nuk ka frikë. Ëndrrat shetisin me trotineta.
E kur zbardh dita?
Hëna me yje shkon të flejë.
Kopshti zgjohet.
Në atë derë, të voglën derë të kopshtit, troket dielli.