A po ia kthen Amerika shpinën Hashim Thaçit?

Zgjedhjet e fundit në Kosovë e ndryshuan edhe qëndrimin amerikan ndaj liderëve tanë. Politikani më karizmatik dhe njëkohësisht më kontravers në skenën kosovare, Hashim Thaçi nuk duket të jetë më i preferuari i amerikanëve.

Amerikanët nuk i lidhin interesat dhe as miqësitë e tyre me një individ, por me popullin e një vendi. Sipas ligjeve të demokracisë, amerikanët duan atë që do populli. E, populli në Kosovë, duket qartë se do ndryshime.

Ndryshime në Kosovë nënkupton largimin e politikanëve që qeverisën për njëzet vjet. Thaçi është i pari në këtë listë.

Pas deklaratës së ambasadorit Philip Kosnett lidhur me (mos) ndryshimin e kufijve të Kosovës, Hashim Thaçit ka filluar t`i lëkundet karrigia e presidentit. Por, nëse do të kenë guximin LVV e LDK të iniciojnë procedurën për shkarkimin e tij, kjo është vështirë të thuhet, nëse merren parasysh shkathtësitë politike të zotit Thaçi.

Në të gjitha betejat e deritashme, ai ka dalë fitues.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, në një intervistë për media, ka thënë se Uashingtoni zyrtar asnjëherë nuk ka inkurajuar ndonjë ide për ndryshimin e kufijve të Republikës së Kosovës, për diçka që kanë biseduar dhe parimisht kanë rënë dakord Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai serb, Aleksandër Vuqiq.

“Qeveria amerikane kurrë nuk ka inkurajuar në mënyrë aktive një rishikim të kufijve apo siç e kanë quajtur disa, ndarje”, ka thënë Kosnett.

Lidhur me këtë deklaratë të Kosnettit, kanë reaguar ashpër analistët politikë sipas të cilëve kjo deklaratë e hapur e mikut amerikan është vetëm edhe një demaskim i hapur që po i bëhet Hashim Thaçit, i cili proklamonte se edhe SHBA-ja e mbështet ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Hashim Thaçi duhet ta kuptojë se Amerika nuk mbështet individë, Amerika mbështet popullin./MediaFokus/