Çeku: Gazifikimi i qymyrit kushton më shtrenjtë se gazi amerikan
Kosova po dëmtohet ekonomikisht nga mungesa e investimeve strategjike në sektorin e energjisë dhe nuk duhet të përjashtojë asnjë projekt që mund të rrisë kapacitetet prodhuese, ka deklaruar ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku në një intervistë për Ekonomia Online.
Ai ka kritikuar politizimin e sektorit energjetik dhe ka kërkuar që projektet për gazin amerikan, energjinë solare, atë të erës dhe rehabilitimin e termocentraleve ekzistuese të trajtohen si plotësuese dhe jo si kundërshtuese të njëra-tjetrës.
Çeku tha se Kosova ka nevojë urgjente për rritje të kapaciteteve prodhuese, duke vlerësuar se përfshirja në projektet amerikane të gazit natyror të lëngshëm (LNG) do të sillte përfitime ekonomike dhe energjetike për vendin.
“Problemi i energjisë në Kosovë daton qysh herët. Fatkeqësisht është politizuar skajshmërisht që duhej të ishte jashtë orbitrit politik, sepse ka të bëjë me zhvillim ekonomik deri dikun dhe me interesa strategjike. Asnjë nga projektet nuk duhet ta lufton njëri-tjetrin. Në Ballkan mungojnë me dhjetëra mijëra megavat energji elektrike. Tregu është i pangopshëm në Ballkan dhe në Evropë Juglindore. Ne mund të zhvillojmë blloqet dhe të rehabilitojmë Kosovën A apo B, mund të kemi energji nga dielli dhe era, mund të kemi termocentrale të rinj, mund të kemi gjithsesi ajo nga linjiti dhe gjithsesi edhe ajo që është nga gazi, do të thotë nga gazi amerikan”, tha ai për Ekonomia Online.
Sipas tij, përfshirja në projektet e gazit amerikan do të krijonte stabilitet më të madh energjetik dhe do të ishte më pak e kushtueshme sesa alternativat e tjera.
Çeku tha se gazifikimi mund të mbetet një opsion për të ardhmen, por sipas tij projekti i gazit amerikan paraqet zgjidhje më të shpejtë dhe më të leverdishme.
Ai kritikoi edhe qasjen e deritanishme të institucioneve ndaj projekteve energjetike, duke thënë se vendi ka paguar kosto të larta për importin e energjisë.
Duke folur për nevojat energjetike të vendit, Çeku tha se Kosova ka nevojë për rreth dy mijë megavat kapacitete të brendshme dhe nuk mund të mbështetet vetëm në termocentralet ekzistuese.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk është përfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara në rajon përmes projekteve të gazit të lëngshëm natyror (LNG).
Qeveria në detyrë e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka shprehur më shumë interesim për “gazifikimin e qymyrit” vendor.
“Këtë [gazifikimin e qymyrit] mund ta bëjmë me një kompani amerikane, për shembull”, ka deklaruar më herët Kurti.
Ambasada amerikane në Prishtinë ka bërë vazhdimisht thirrje për përfshirjen e Kosovës në projektin e LNG-së amerikane.
E ngarkuara me punë në këtë ambasadë, Anu Prattipati, ka deklaruar në fillim të qershorit se Kosova nuk po arrin t’i përmbushë kërkesat në rritje për furnizim me energji, duke cituar të dhënat e Doganës së Kosovës sipas të cilave vendi ka shpenzuar 735 milionë euro për importimin e energjisë elektrike nga vendet fqinje në katër vjetët e fundit.
Sipas këtyre të dhënave, importi i energjisë është rritur nga 142 milionë euro në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025.
Prattipati ka vlerësuar se, nëse çmimet dhe kërkesat për energji vazhdojnë të rriten, Kosova do të varet gjithnjë e më shumë nga furnizimi energjetik i vendeve fqinje.
Ndërkohë, Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina kanë hyrë në iniciativa të rëndësishme me kompani amerikane dhe me SHBA-në për zgjerimin e rrjetit të gazit, përfshirë projektet që synojnë reduktimin e varësisë nga furnizimet ruse./EO/

