Arrestohen edhe dy persona në lidhje me vrasjen e 15-vjeçarit

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në rastin e vrasjes së 15-vjeçarit në Prizren.

Ata dyshohet se e kanë ndihmuar dorasin në fshehjen e dëshmive për këtë ngjarje tragjike. Njëri prej tyre është i moshës 17-vjeçare, derisa tjetri i moshës 18-vjeçare.

Lajmin për arrestimin e tyre e ka konfirmuar për Gazetën Express zëdhënësi i Policisë në Drejtorinë Rajonale të Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

“Lidhur me këtë rast, janë arrestuar dy persona, pasi që të njëjtit dyshohet se e kanë ndihmuar dorasin në fshehjen e dëshmive për këtë ngjarje. Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 24 orë”, ka thënë Osmanollaj.

Ndryshe, motivin e zënkës që la të vdekur nxënësin 15-vjeçar nuk po e di ende as familja e as organet e drejtësisë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në shkollën e mesme të Mjekësisë, “Luciano Motroni” në Prizren, Shukri Myrtezani, aty ku Lirimi vijonte mësimet, ditën e varrimit tha se 15-vjeçari ishte nxënës i shkëlqyer.

Tutje, Myrtezani tha se fëmijët nuk kanë pasur sjellje arrogante në shkollë.

Ndërsa, një familjar i Lirimit, po ashtu pjesëmarrës në varrim, Bislim Berisha, tha se janë të shokur me vdekjen e tij dhe se familja nuk është përmenduar asnjëherë se kanë pasur problem me dikë.

“Shpresoj që merr masa shteti, policia, gjykata. Shpresoj që më të mos ndodhin këso rastesh, ndihemi shumë keq. Është humbje e madhe…Nuk kam qenë në vendin e ngjarjes, nuk mundem me ditë se çka ka ndodh, por familja ska si të jetë më e mirë, janë njerëz të mirë, familje e mirë, fjalë të këqija nuk kemi dëgjuar kurrë për ta. Probleme s’kanë pas kurrë me askënd”, tha ai.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prizren, tha se pasi të rinjtë janë përleshur, njëri prej sulmuesve e kishte goditur viktimën me mjet të mprehtë përkatësisht me thikë në pjesën e majtë të gjoksit, e cila ka rezultuar me pasoja fatale për viktimën.

“Nga informacionet fillestare rezulton se në rastin konkret të miturit e përfshirë në përleshje kanë poseduar një armë zjarri dhe dy thika”, ka njoftuar prokuroria.