‘Babai më mësoi si të dua Zotin, jo nga frika, por nga dashuria për të’

Albina Idrizi

(Diçka nga intervista ime për dokumentarin e ri që po punohet këtyre ditëve mbi jetën dhe veprimtarinë e tim eti, DITËT E HAFIZ AVNI ALIUT)

Gjëja e parë që më shkoi ndërmend sapo dëgjova për dokumentarin, ishte modestia e tim eti. Nuk kisha si të mos pyesja veten, athua çfarë do të kishte thënë ai me këtë rast, po të mundej. Si do ta kishte pritur. I heshtur jashtëzakonisht dhe njëherësh i ndijshëm gjer në bezdi nda lëvdratave, mostolerues ndaj kulteve, me një vetëmohim të matur e të qetë ndaj rezultateve e bëmirjes.

Tim atë e shoh mes dy këndvështrimeve, pikërisht në pikën që i bashkonte – si babë i cili sapo kthehej nga puna na pyeste me radhë si e kishim kaluar ditën në shkollë a shtëpi, na mbulonte kur flinim e na shërbente pa kurrfarë hezitimi kur i jipej mundësia duke ndihmuar kështu edhe nënën time.

Dhe, babën si misionar të fesë islame, studiuesit të gjuhës shqipe, shkruesit të qindra artikujve fetarë nëpër revistat e vendit e të rajonit, ambasadorit të paqes, njeriut tek i cili vinin të kërkonin këshilla të njohur e të panjohur e i cili pjesën më të madhe të kohës në shtëpi e kalonte i ulur pranë makinës së shkrimit duke mbushur ambientin me tinguj tik-takesh, gjer në orët e vona të natës. Madje edhe më pas, e kujtoj si ngritej pasi binte për të fjetur për një presje a një fjalë që duhej shtuar apo hequr diku. Shkruante vetëm me dy gishtat tregues të duarve, por shkruante shumë shpejt. Edhe sot më dalin para syve gishtat e tij të anuar paksa nga brenda në majë e që unë, si fëmijë, besoja se i kishte ashtu nga të shkruarit.

Pikërisht ky pikëtakim mes këtyre dy prizmave ishte vendi më i dashur për mua, sepse aty bisedonim për letërsinë, poezinë, në veçanti, të cilën e shkruante edhe vetë herë pas here me një tis që prekte kufijt e hermetizmit, tipar i letërsisë së asaj kohe.

Kishte bibliotekën vetjake në të cilën gëzoja privilegjin të shërbehesha. Librat i mirëmbante dhe i radhiste gjithmonë vetë, me një kujdes e dashuri të veçantë. Aty, pas letërsisë shqipe, njoha për herë të parë Rumiun, Arabiun, Saadiun, etj.

Mendoj se, pikërisht ky përkushtim i tij, ndikoi në pasionin tim për librin. Mënyra si i gëzohej një libri të ri, kënaqësia e leximit dhe emocioni i interpretimit që përcillte tek unë kur citonte pjesët e zgjedhura, pak nga pak më ndërtuan në shkrimtare. Kjo na ofroi edhe më shumë. E ndjeja si shokun me të cilin isha bashkëbiseduese e lirë dhe e barabartë.

Edhe në vitin e fundit të jetës së tij, kur pothuaj çdo ditë e kalonim përgjatë relacionit Gjilan – Prishtinë ku i duhej të shtrihej për të marrë terapinë e nevojshme, ne bisedonim për letërsinë. Atëkohë kisha në dorëshkrim përmbledhjen e tretë me poezi. Dëgjonte me vëmendje vargjet që citoja dhe i komentonim bashkë. Asnjëherë, për asnjë çast, nuk më bëri të kuptoja se mund të ishte i lodhur, i shqetësuar apo i bezdisur, me gjithë sëmundjen që kishte dhe terapinë aspak të lehtë që mirrte. Përkundrazi, më mbështeste e më inkurajonte të mos ndalesha, siç bëri gjatë gjithë shkollimit tim.

Atëherë, kishte raste kur shumë prindër të shoqeve të mia, njëkohësisht edhe miq të tim eti, mbanin sytë tek unë dhe i kushtëzonin vajzat e tyre se, nëse unë pranoja të shkoja në një udhëtim që organizonte shkolla, mund të shkonin edhe ato. Nëse unë vazhdoja shkollimin, gjegjësisht fakultetin. mund të vazhdonin edhe ato.

Kam bindjen se im atë dinte që atëherë barrën që mbante me çdo veprim a vendim të tijin. Sot, një pjesë e mirë e shoqeve të gjeneratës sime janë intelektuale të zonja e të vlerësuara.

Nëna ime nuk dinte shkrimleximin, por asnjëherë nuk u nëpërkëmb për këtë, i vetëdijshëm se ishin rrethanat ato që kishin ndikuar e jo vullneti i saj. Madje, për çdo të arritur në shtëpinë tonë, ai i jipte meritat asaj. E shihja shpesh duke i lexuar fragmente të tëra nga librat që pëlqente, artikujt që shkruante vetë e të rrëfente ngjarje dhe anekdota nga jeta e profetëve. Të dy bashkë krijonin një atmosferë të harmonishme familjare duke na bërë të kishim një fëmijëri të lumtur edhe ne fëmijët, unë me dy vëllezërit e mi.

Ishte fjalëpakë. Nuk fliste shumë. Më tepër dëgjonte. Por kur fliste, nuk kishe si të mos e dëgjoje, si të mos i bindeshe e të mos i besoje. Ishte e pamundur të të mos nguliteshin në mendje ato që thoshte.

Për mua, ishte më shumë se babë. Ishte një mësuaes shpirtëror. Më mësoi si të dua Zotin. Jo nga frika por nga dashuria për të. Si të ndjej praninë e përhershme të tij e jo vetëm në çastet kur lutemi.

Ky vit mbushi dekadën e vdekjes së tij dhe mua më dhemb shpirti që nuk është për t’i parë sa të mrekullueshëm janë bërë fëmijët e mij e të vëllezërve të mij. Sa janë rritur e formuar me tipare virtytesh ku një pjesë e madhe hiseje i takon vetë atij. Më vjen keq që nuk është për të parë përparimin e vëllezërve të mij me të cilët unë ndjehem shumë krenare sot e, besoj, do të ishte ndjerë edhe ai.

Më mungon për çdo ditë. Shpeshherë gjej veten duke kthyer kokën andej nga vinte befasisht për një vizitë të shpejtë a një gjysëm kafe, siç thoshte vetë. Shpresoj të më dëgjojë shpirtërisht se, me çdo gjest të mirë, me çdo libët të ri, me çdo cilësi që arrij ti shtoj vetes, unë thjesht tregoj falenderimin dhe mirënjohjen time ndaj tij.