Biden me masa të gjendjes së luftës, kundër koronavirusit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nënshkroi një mori urdhrash ekzekutivë, derisa shpalosi një strategji kombëtare kundër pandemisë së tërbuar të COVID-19

Dhjetë urdhrat, mes tjerash, synojnë t’i japin hov programit të vaksinimit, të zgjerojnë testimin dhe veshjen e maskave, si dhe të rrisin mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, që do të ndihmonin në krijimin e politikave.

Udhëtarët nga jashtë do të duhet të kenë test negativ kundër koronavirusit dhe të futen në karantinë pas mbërritjes në SHBA.

Biden po ashtu i udhëzoi agjencitë të përdorin Aktin e Prodhimit të Mbrojtjes – një kompetencë kjo e kohës së luftës, që e lejon qeverinë të udhëzojë industrinë për të prodhuar furnizime të nevojshme në kohë të emergjencës kombëtare.

“Kjo është një ndërmarrje e kohës së luftës”, tha Biden derisa nënshkroi urdhrat në Shtëpinë e Bardhë.

“Plani ynë nis me një fushatë agresive, të sigurt dhe efektive të vaksinimit, që synon përmbushjen e qëllimit tonë për administrimin e 100 milionë dozave në 100 ditët tona të para në zyrë”, tha Biden, transmeton REL.