Blegtori, banori i vetëm që i “jep jetë” fshatit të braktisur

Fshati Pus i Thatë, në bashkinë e Hasit, është një nga shembujt e braktisjes totale të këtyre zonave, ku dimrit është thuajse e pamundur të lëvizësh, ndërsa verës ka mungesë të ujit. Banesa dhe kulla të dikurshme, tashmë të rrënuara, janë prova të jetës së dikurshme dhe të realitetit të sotëm.

I vetmi që vijon t’i japë jetë këtij fshati është blegtori Osman Kastrati, së bashku me tufën e tij të deleve. Ai po përpiqet të mbajë në këmbë edhe kullën ku ka lindur vetë, si dhe atë të xhaxhait të tij.

Por mungesa e infrastrukturës më minimale dhe braktisja totale nga shteti në këtë zonë po vështirësojnë edhe aktivitetin e Osmanit.

“S’është i interesuar shteti. A jemi gjallë, a jemi hiç, a s’jemi hiç fare? Dhe ka qenë thatë i madh, ka qenë shumë. Kishim frikë nga uji, se po na shteronin puset. Por shyqyr, deshi Zoti i Madh, shpëtuam sivjet”, tregon ai për A2 CNN.

“Jemi detyruar të qëndrojmë këtu. Patëm, s’patëm, do të hamë, se s’ka familje këtu. Vetëm unë jam edhe nja dy të tjerë janë. Po ra borë, ngelim këtu. Po të ikim poshtë, s’ngjitemi lart prej dimrit, se s’hap kush rrugë këtu. Shteti s’na ndihmon fare. S’na ndihmon shteti fare dhe prandaj jemi të detyruar t’ia dalim me forcat tona”.

Vetëm 4 kilometra rrugë do të rikthenin shpresën për këtë fshat dhe do të mundësonin kthimin e disa prej familjeve të larguara nga banesat e tyre, aty ku lindën dhe kaluan fëmijërinë. (A2 Televizion)