BQK me vendim të ri rreth kredive për shkak të COVID-19

Bordi Ekzekutiv i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) ka aprovuar sot udhëzuesin e ri për ristrukturim të kredive për shkak të COVID-19.

Ky vendim është marrë pas një takimi virtual të guvernatorit të BQK-së Fehmi Mehmeti dhe zëvendësguvernatorit për Mbikëqyrje Financiare Sokol Havolli që është mbajtur me drejtuesit e Shoqatës së Bankave të Kosovës dhe drejtorët e bankave.

Në këtë takim është diskutuar për situatën aktuale të sektorit bankar, i cili siç thuhet, deri më tani me sukses ka përballuar sfidat operacionale të pandemisë, duke vazhduar kreditimin e ekonomisë si dhe duke ofruar të gjitha shërbimet tjera bankare.

“Qëllimi i këtij udhëzuesi është që kredimarrësve që kanë hasur në vështirësi financiare si pasojë e pandemisë t’iu lehtësohet barra kreditore duke bërë ristrukturim të kredive pa implikuar ndonjë përkeqësim të tyre në regjistrin kreditor të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Guvernatori Mehmeti ka thënë se roli i bankave për të siguruar rrjedhën e vazhdueshme të kreditimit për klientët mbetet i një rëndësie të madhe dhe me aprovimin e këtij udhëzimi, BQK-ja njeh rrethanat e krijuara në vend nga vala e dytë e COVID-19.

“Një nga masat e marra nga Banka Qendrore e Kosovës në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar është edhe ndalesa e përkohshme e shpërndarjes së dividentës, andaj nga ana e përfaqësuesve të bankave u ngrit kjo çështje duke kërkuar që të rishikohet kjo masë e ndalesës. Zëvendësguvernatori Havolli theksoi se BQK-ja do ta rishikojë këtë masë dhe se çështja e shpërndarjes së dividentës do të trajtohet në pajtueshmëri të plotë me praktikat dhe vendimet e Bankës Qendrore Evropiane”, thuhet më tutje në njoftim