Çika e Kapedanit, e cila la detin për sytë e bukur të djaloshit nga Gjilani, ka rikujtuar nënën e saj në 50-vjetorin e vdekjes
Çika e Kapedanit nga Ulqini, Drita Klaiqi, e cila dikur la detin për sytë e bukur të kosovarit nga Gjilani, ka rikujtuar nënën e saj në 50-vjetorin e vdekjes.
“Kjo datë për dikë mund të mos ketë ndonjë rëndësi të veçantë, por për mua është dhimbja më e madhe që kam përjetuar në rini. E humba nënën shumë herët dhe nuk arrita t’i them: “A ma ke bërë hallall moj nanë që shkova në Gjilan dhe isha gjithmonë larg juve?”
Aty krijova familjen dhe ndërtova shtëpinë time dhe në oborrin tim mbolla pemë si fiku, shegën e ullirin, por asgjë nuk ma largoi mallin për ty dhe për vendlindjen time Ulqinin. Ai mall nuk mu shua kurrë.
Sot, me sytë plot lot, i lutem Zotit që një ditë të takohemi në parajsë, sepse engjëj si ti e meritojnë vendin më të bukur! 50 vite pa ty Nanë”, ka shkruar Drita.
Vajza e bukur ulqinake, e cila la detin për djaloshin kosovar, ka rikujtuar vite më përpara edhe ditën e martesës, me një dedikim të ndjeshëm për bashkëshortin që nuk jeton më, shkruan Mediafokus.info
‘Nuk u ndamë as në momente të vështira, as të bukura. Jetuam bashkë 47 vite. Sa shumë ëndërronim festën e 50-vjetorit, por në këtë ditë, 11.11.2021 e cila është data e martesës tonë, ti po i mbush tre muaj që më le. Besoj se një ditë do të të takoj në parajsë ty që i jepje kuptim jetës time’
Drita Shabani, çika e kapedanit, para 52 vitesh vendosi që ta lë detin, për sytë e kaltër të kosovarit Ali Klaiqi, me të cilën u martua dhe krijoi një familje të lumtur.
Ajo rrëfen se si kishte vendosur ta thyej një traditë ulqinake dhe të martohet diku larg prej detit dhe kalasë së njohur të Ulqinit, ku jetoi familja e saj.
E pranon se ka pasur vështirësi që të ambientohet në Gjilan, por asnjëherë nuk është penduar për vendimin e saj që ta pranojë sfidën e jetës së “peshkut pa ujë”, sepse ishte e vetëdijshme se dashuria rrënon distanca e dallime në tradita.
‘Problemi’ me traditat kosovare
“Unë s`e kuptoja në fillim pse nusja duhet ndenjur në këmbë derisa qet çaj, pse nusja duhet pastruar këpucët e mysafirëve dhe adete të tjera, por dalëngadalë, me mbështetjen e fortë të Aliut, i përballova dhe mësova të gjitha traditat e familjeve kosovare, përkatësisht të qytetit të Gjilanit”, thotë Drita e Ulqinit.
Në vendlindjen e saj kthehet here pas here, qoftë për vizita në familje, ose për pushime verore në plazhin e bukur të Ulqinit, të mbushur gjithandej me pushues, të cilët shkojnë atje për t`i kaluar ditët përvëluese të verës.
Ulqinakët thonë se deti iu bën mire të gjithëve
‘Derisa isha zhytur në këto mendime, duke u përpjekur t`i lexoja hallet e secilit prej vizitorëve të detit, në këto ditë korriku, instinktivisht po shkruaja në rërë, sikurse në fletët e një romani të zverdhur, por era e detit dhe lotët e mi, po i fshinin të gjitha. Përnjëherë shikova nga kalaja dhe pashë shtëpinë ku jam lindur dhe jam rritur, ku jam zgjuar dhe jam ngrysur me detin dhe anijet që lundronin pa pushim. Kujtova nënën kur dilte në dritare me një shami të kuqe, e cila për ne ishte sinjal se duhet të kthehemi nga plazhi në shtëpi, sepse boll ishte bërë‘, rrëfen Drita, derisa i rikujton ato ditë të bukura dhe pyet veten se cila ishte ajo fuqi që mundi ta ndante nga kalaja dhe deti, nga familja ulqinake dhe traditat e saj.
Sa u mërzita që nuk më njohu shoqja e klasës
Ndërkohë që vazhdon rrëfimin e saj për një ditë korriku në plazhet e Ulqinit, ku për herë të parë e ndjeu veten të “huaj”, Drita tregon se për Gjilanin nuk kishte dëgjuar deri kur u njoh me Aliun.
‘Derisa unë isha rikthyer vite prapa dhe po e mendoja njohjen me Aliun, e humbur krejtësisht në meditime, pranë meje kaloi shoqja e klasës dhe nuk më njohu. Nuk ishim parë për kohë të gjatë. Sa në siklet u ndjeva që nuk më njihnin njerëzit e mi, se ndihesha “jabanxhi” në vendlindje. Sytë mu mbushën me lot edhe njëherë…Ndjenjat e mia mund t`i kuptojnë vetëm ato ulqinake që janë larg vendlindjes, sikurse unë dhe ne që na mungojnë tallazet e detit, shegat, fiqtë dhe ullinjtë e zi’, thotë Drita Klaiqi, ulqinakja e kosovarizuar prej 52 vitesh.
Megjithatë, Drita nuk është pishman asnjëherë për martesën me Aliun, sepse bashkë me të kanë krijuar një familje të lumtur në Gjilan, derisa here pas here kthehet për vizita në familjen e saj, tek kalaja e Ulqinit.
E pranon se dashuria qenka më e thellë se deti dhe më e fortë se tallazet e tij.
Ajo sot ndjehet e lumtur për takimin me Aliu, 52 vjet më parë, por edhe e pikëlluar që sot nuk e ka pranë vetes shokun e jetës, as nënën atje në Ulqin.
Por, ajo ka një familje të madhe e të mrekullueshme në Gjilan, ku gjen ngrohtësi e dashuri të pakufishme./Mediafokus.info

