Çka është ky krim në lumin e Zhegrës?

Në kohën e pandemisë kur thirrjet e profesionistëve shëndetësor janë shtuar për higjienë e pastërti, lumi në Zhegër ka marrë pamje të tmerrshme, shkruan portali Mediafokus.info.

Qytetarë të pandërgjegjshëm kanë hudhur mijëra shishe plastike, të cilat, nga pamjet e siguruara, shihet se si e kanë mbuluar krejtësisht shtratin e këtij lumi.

Muhadin Haziri, kryetar i Këshillit të fshatit në Zhegër, ka thënë se kjo është e patolershueshme, derisa ka kërkuar nga qytetarët që t’i denoncojnë në polici këdo që e hasin duke hedhur mbeturina.

“I lus të gjithë banorët nëpër lagjet e tyre që kanë fakte, foto, videoincizim apo që i shihni këta persona të pandërgjegjshëm, mund të na shkruani në adresën tonë të Këshilli të fshatit Zhegër. Bëhu hero i vendit tënd”, ka thënë Haziri, në reagimin e tij.

Drejtori i Inspekcionit në Gjilan, Nevzad Rushiti, ka thënë për Mediafokus.info se të martën do të dërgohen inspektorët në terren për të parë nga afër gjendjen.

“I kam parë fotot. Është e tmerrshme. Inspekcioni, në bashkëpunim me policinë, do të reagojë menjëherë dhe personat e pandërgjegjshëm do të ndëshkohen sipas ligjeve në fuqi”, ka thënë Rushiti. /Mediafokus.info/

Ja pamjet e tmerrshme të ndotjes së lumit: