Në Amerikë, ndahet nga jeta patrioti shqiptar Rexhë Xhakli

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ndërruar jetë patrioti dhe lobuesi i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Rexhë Xhakli, me origjinë nga fshati Kishnapolë i komunës së Gjilanit.

Kombi dhe komuniteti shqiptar humbi një atdhetar të flaktë, i cili e kishte ndihmuar fuqishëm luftën në Kosovë dhe çështjen kombëtare në përgjithësi.

“Iku Rexhë Xhakli, duke lënë pas vetes një histori të begatë, një veprimtari të mbushur plot aktivitete për çështjen kombëtare shqiptare dhe çështjen e Kosovës. Aga Rexhë, familja gjithmonë ka qenë krenare me ty”, ka shkruar Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal në Gjilan.

Nga mërgimtarët në Amerikë, Xhakli ishte cilësuar si një nga shqiptarët më të mirë.

Ndihmat e tij materiale në lobimin për pavarësinë e Kosovës në Vashington dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës kanë qenë të jashtëzakonshme.

“Rexhë Xhakli, një figurë e rëndësishme e komunitetit shqiptaro-amerikan, që ka pasur një rol të shquar personal në lobimin historik për Kosovën, sidomos në dy dekadat e vështira e kyçe të fundit të shekullit, vdiq të shtunën në New York, në moshën 81-vjeçare.

Kontributi i tij në kuadër të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC), Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane (AACL), e shumë organizata të tjera të komunitetit, si dhe për kauza humanitare bamirëse është i pallogaritshëm

Ai lë pas bashkëshorten e tij Shpresa Xhakli, fëmijët Fatbardhi, Adriana dhe Arbeni” thuhet në një njoftim të gazetës Iliria.

Të afërmit e tij në Gjilan e Kishnapole e kanë pritur me dhembje lajmin për vdekjen e Rexhës.

Ramadan Kurteshi është shprehur: Me pikëllim morëm lajmin për ndarjen nga jeta të kushëririt tonë dhe veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare shqiptare dhe çështjes së Kosovës, Rexhë Xhaklit.

Rexha, padyshim mbetet një nga figurat më të ndritshme të popullit shqiptar, jo vetëm në Kosovë e SHBA, ku jetoi dhe veproi, por edhe me gjerë./mediafokus.info