Coronavirusi mund të qëndrojë me ne edhe pas një vaksine efektive

Debati se kur do të rihapen vendet në mes të pandemisë së coronavirusit është përshkallëzuar shpejt.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, zhgënjimi nga karantina është duke u rritur në mediet sociale, ndërsa banorët kanë protestuar urdhrat e distancimit shoqëror.

Disa thonë se pandemia e COVID-19 është ngadalësuar sa duhet për të justifikuar rihapjen, duke marrë parasysh ndikimet në rritje ekonomike dhe shëndetësore.

Mirëpo, ndikimin e coronavirusit e sheh ndryshe David Murdock, një kardiolog hulumtues në sistemin shëndetësor Aspirus në Wausau.

“Ky virus ka ardhur për të qëndruar. Me fjalë të tjera, ky virus nuk mund të mposhtet thjesht duke qëndruar brenda për dy muaj”, shkroi Murdock.

“Bota ka të ngjarë të shohë shpërthime periodike, dhe ne duhet ta pranojmë atë dhe të jemi të përgatitur për t’u marrë me COVID afatgjatë”, shtoi ai.

Shumë eksperët kanë thënë se rikthimi i vërtetë në normalitet ka të ngjarë të mos jetë i mundur derisa një vaksinë të jetë e disponueshme, e cila mund të jetë gati pas disa muajve ose edhe një vit e më shumë.

“Ekziston frika se të gjithë duhet të mësohemi me distancimin shoqëror për 12-18 muajt e ardhshëm”, tha John Raymond, Drejtori i Përgjithshëm i Kolegjit Mjekësor të Wisconsin.

“Derisa nuk kemi një vaksinë efektive, ka të ngjarë që ne do të jetojmë me COVID-19”, shtoi ai.

Ndërkaq në anën tjetër një ekspert tjetër thotë se vaksina nuk do të jetë fundi i COVID-19.

“Unë mendoj se ka të ngjarë të bëhet si gripi sezonal, ose ndoshta i ngjashëm me coronaviruset e tjerë me të cilët jemi njohur tashmë”, u shpreh Bill Hanage, profesor i asociuar i epidemiologjisë në Shkollën e Shëndetit Publik të Universitetit Harvard.

“Është plotësisht e mundur që kjo të bëhet pjesë e peisazhit tonë të rregulltë të infeksioneve virale të frymëmarrjes”, shtoi ai./mediafokus.info/