Daja Brahë, ish-gazetari nga Vitia përkujtohet me ndjesi të thellë nga kolegu i tij

Kolegu i tij nga Vitia ka përkujtuar gazetarin e Kohës ditore, Ibrahim Sefedini, në 6-vjetorin e vdekjes.

Në përkujtim të 6-vjetorit të ndarjes nga jeta të dajës dhe kolegut tim të çmuar, Ibrahim Sefedini – Daja Brahë.
Kaluan gjashtë vite që kur u ndave nga kjo jetë, daja Brahë, por mungesa jote vazhdon të ndjehet thellë në çdo ditë që kalon. Edhe pse koha ecën përpara, ndarja jote e hershme dhe e papritur më lë ende me ndjesinë se je pranë – sikur ende më ndjek nga pas, ashtu si në atë fotografi të fundit që realizuam pak kohë para se të largoheshe përgjithmonë.
Kujtimet me ty janë të shumta e të çmuara, që nga fëmijëria ime, si nipi me dajën, deri te vitet e bashkëpunimit të ngushtë në studime dhe në profesion. Ti ishe gjithmonë shembull i urtësisë, përkushtimit dhe dashamirësisë. Më ke lënë një trashëgimi kujtimesh dhe vlerash që do të më shoqërojnë gjithë jetën.
Pusho i qetë, daja Brahë. Nuk të harrojmë kurrë.

Edhe miqtë dhe kolegët tjerë të tij thonë se Ibrahimi do të mbahet mend si njeri me virtyte të larta njerëzore dhe profesionale.

Ibrahim Sefedini ndërroi jetë në moshën 51-vjeçare, në Francë, ku ndodhej për kurim nga një sëmundje e rëndë, nga e cila po lëngonte.

Gjatë karrierës së tij prej gazetari, ai punoi suksesshëm për mediume të ndryshme lokale e nacionale.

Së fundmi, për disa vite ishte korrespondent i gazetës “Koha ditore”.

Përveç që dha kontribut të madh për informimin e drejt dhe të saktë të publikut, ai njihej edhe si aktivist i shoqërisë civile përmes OJQ “Elita”./Mediafokus