Derisa Gjermania po vuan nga përmbytjet, Dubai po e paguan shiun me pare

Derisa disa shtete po përballen me shira, vëshime e përmbytje, disa të tjera po investojnë miliona dollarë për të stimuluar shiun mbi vendin e tyre, ku mbretërojnë temperatura të larta.

Në Dubai, temperaturat e larta kanë bërë që autoritetet të mendojnë për një alternativë tjetër, duke krijuar kështu “shi artificial”. Sipas qendrës Kombëtare të Meteorologjisë, reshjet sollën një sasi të madhe të ujit që vërshoi në rrugë.

Të dielën, shërbimi kombëtar i motit i Emirateve të Bashkuara Arabe publikoi ​​pamje video të reshjeve të mëdha. Shiu stimulohet duke përdorur teknologjinë e dronëve të cilët lëshojnë ngarkesa elektrike në re, në mënyrë që ato të grumbullohen për të lëshuar reshje.

Sistemi aktual që përdoret për të ndryshuar ngarkesën elektrike të reve po drejtohet nga studiuesit në Universitetin e Reading në Angli dhe përllogaritet në miliona dollarë.

Profesori Maarten Ambaum, i cili punoi në projekt, i tha BBC në mars se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mjaftueshëm re për të krijuar kushte të përshtatshme për shiun.

Projekti përpiqet që pikat e ujit të bashkohen dhe të ngjiten. “Kur pikat të bashkohen dhe të jenë mjaft të mëdha, ato do të bien si shi”, tha Prof Ambaum për BBC.