Dëshmia e vaksinës ose testi Covid kanë krijuar radhë të gjata në Morinë

Kushti i qeverisë së Kosovës për dëshmi vaksine ose test anti-Covid për çdo qytetar që futet brenda territorit të saj, ka shkaktuar radhë të gjata në Morinë.

Mësohet se shumë shqiptarë nga Kosova po kthehen në shtëpi pas pushimeve në bregdet dhe në pikën kufitare të Morinës u është kërkuar pasaporta e vaksinimit ose test PCR, i kryer jo më vonë se në 72 orët e fundit.

Radha vazhdon për disa kilometra, ndërkohë që nuk ka ende asnjë reagim nga autoritetet e të dyja vendeve.

Kjo situatë problematike po vazhdon prej 5 ditësh, që prej hyrjes në fuqi të masave të reja në Kosovë.

Ndërkohë nga e hëna ky kusht do të nisë të zbatohet edhe nga pala shqiptare, pas shtimit të rasteve me COVID atje.