Dështon investimi 70 milionësh, rrëzohen 4 shtylla të transmetimit të energjisë Shqipëri-Kosovë

Një muaj pasi Operatori i Sistemit të Transmetimit njoftoi që linja 400 kv Shqipëri-Kosovë ka nisur operimin, 4 shtylla të tensionit të lartë në territorin e Shqipërisë janë rrëzuar duke penguar transmetimin e energjisë mes dy vendeve, shkruan panorama.com.al.

Në anën e Kosovës situata paraqitet krejt ndryshe. Atje investimi i kryer nuk ka pësuar asnjë dëmtim ndonëse moti i keq ka pushtuar të gjithë vendet e rajonit.

10 vite pas marrjes së borxhit për këtë linjë, teksa Shqipëria ka shlyer gjysmën e kredisë për ndërtimin e saj, ky investim nuk ka arritur të jetë frytdhënës.

Javët e fundit reshjet e shiut kanë qenë të dendura në vendin tonë, çka është përkthyer në më shumë energji për të shitur. Por në rastin me Kosovën kjo nuk është bërë e mundur, pasi pikërisht në kohën kur prurjet kanë qenë të larta dhe mundësia për të krijuar rezerva, reshjet e shumta, përveç se kanë shkaktuar përmbytje, nuk sollën para në arkën e shtetit, gjë që do të kishte ndodhur nëse linja e interkonjeksionit, e përfunduar vetëm një muaj më parë, do të ishte funksionale.

Ish-deputeti demokrat Aleksandër Biberaj denoncon se linja e transmetimit të energjisë Shqipëri-Kosovë është prej ditësh jashtë funksionimit.

Ndërkohë sipas ish-deputetit të PD-së Aleksandër Biberaj dëmi ekonomik nga mungesa e transmetimit dhe shitjes së energjisë vlerësohet nga ekspertët në miliona euro.

“Linja e transmetimit të energjisë Shqipëri-Kosovë, jashtë funksionimit prej disa ditësh! 70 milionë euro të çuara nga qeverisja e Edi Ramës! Dëmi ekonomik nga mungesa e transmetimit dhe shitjes së energjisë në Kosovës dhe tregjet rajonale vlerësohet nga ekspertët në miliona euro!”, theksoi Biberaj

Ndonëse Shqipëria po humbet mundësinë që të arkëtonte shuma të mëdha parash në arkën e saj për shkak të dëmtimit të 4 shtyllave të tensionit të lartë, Kryeministri Rama harron edhe borxhin për ndërtimin e linjës në fjalë. Në lidhje me mosfunksionimin e investimit prej 70 milionë eurosh, Kryeministri Rama u pyet në konferencën e përjavshme, por iu shmang përgjigjes së pyetjes lidhur me linjën 400 kv ShqipëriKosovë. “Po pse mo çfarë çon linja e interkonjeksionit, ujë çon në Kosovë? Ujë me tela çon apo është ajo lidhja e ujit me djathin. Ku i gjeni këto se çmendët një milet të tërë?”, tha Kryeministri Rama. Por mesa duket, 70 milionë euro investim deri tani kanë shkuar dëm, pasi për shkak të tenderëve të dyshimtë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe rrjedhimisht të cilësisë së dobët të punimeve, linja e transmetimit nuk funksionon.