Drita barazon me Ballkanin, mbetet në garë për vendin e dytë

Drita ka barazuar sot në Gjilan përballë Ballkanit (1:1), njërit prej pretendentëve për dy vendet e para, duke vazhduar kështu garën për pozitën e dytë, e cila e çon në Evropë.

Me sa duket gjasat më të mëdha për titull tashmë i ka Prishtina, e cila me fitoren e sotme ka krijuar një diferencë prej 5 pikësh nga Drita, përkatësisht 7 nga Ballkani.

Me barazimin e sotëm, Drita arriti kuotën prej 70 pikëve, dy më shumë se Ballkani, por lojë e vështirë e pret javën e ardhshme në Drenicë, derisa Ballkani luan si vendës me Trepçn `89 që po lufton për mbijetesë.

Sidoqoftë dy javët e fundit janë shumë interesante, sepse humbja eventuale e Prishtinës në Gjilan, do ta bënte të paqartë titullin ne javën e fundit, ku kryeqytetasit ndeshen me Ballkanin, që assesi nuk do të heq dorë nga dy pozitat e para, deri në minutën e fundit, siç u pa edhe sot në Gjilan, përballë Dritës.