Fjalët që vijnë me vonesë
Izmi Zeka
Në kujtim të Sahit Jashari, njërit nga ata që në të gjallë mbeten në heshtje, e në ikje na kujtojnë sa pak dimë të vlerësojmë në kohë.
Kur po vdesin luftëtarët, papritmas të gjithë kanë mall. Papritmas kujtohen fjalët, kujtimet, historitë. Shkruhen statuse të gjata, bëhen portretizime, rikthehen në jetë rrëfime që deri dje rrinin në heshtje. Sikur vetëm vdekja ua hap derën fjalëve dhe e zgjon ndërgjegjen tonë të vonuar.
Në të gjallë të tyre, sikur nuk dihet as ku jetojnë. Kalojnë pranë nesh si njerëz të zakonshëm, pa zhurmë, pa bujë, pa atë vëmendje që shpesh ua japim vetëm kur nuk janë më. Ndoshta në ndonjë rast, aty-këtu, përmenden. Por jo aq sa duhet. Jo aq sa e meritojnë ata që një pjesë të jetës së tyre e lanë në luftë, e pjesën tjetër e kaluan në heshtje.
Mbrëmë ndërroi jetë Sahit Jashari, një bashkëluftëtar i Adem Jashari dhe Hamëz Jashari. Nuk ra nga plumbat, nuk ra në fushëbetejë por nga një vdekje e rëndomtë, si çdo njeri tjetër. Dhe pikërisht kjo e bën edhe më të thellë kontrastin mes asaj që ishte dhe mënyrës si u trajtua në të gjallë të tij.
Sa fjalë u thanë nga mbrëmë e deri sot. Sa kujtime u nxorën nga arkivat personale, sa fotografi u shpërndanë, sa histori u treguan. Por lind pyetja që dhemb: ku ishin këto fjalë dje? Ku ishte ky respekt kur ai ishte mes nesh? Kur ai mund t’i dëgjonte, t’i ndiente, t’i vlerësonte?
Sepse njeriu nuk jeton vetëm për kujtimin pas vdekjes. Ai jeton për një fjalë të mirë në kohën e duhur, për një përshëndetje, për një njohje të sakrificës që ka bërë. Jeton për dinjitetin që i jepet sa është gjallë, jo vetëm për lavdinë që i jepet pasi të largohet nga kjo botë.
E kam thënë edhe më herët dhe sot e ndiej edhe më fort: për ne, shpesh vetëm ata që kanë rënë në fushën e nderit shpallen pa asnjë hezitim patriotë. Ndërsa ata që mbijetuan, që bartën plagët e luftës, që u kthyen në jetën civile pa zhurmë, mbeten diku në hije.
Dhe kjo nuk është vetëm padrejtësi është një harresë e rrezikshme.
Sepse historia nuk është vetëm e atyre që ranë. Historia është edhe e atyre që mbijetuan, që e panë luftën me sy, që e bartën mbi supe, që humbën shokë, që sakrifikuan rininë dhe vazhduan të jetojnë me kujtime që nuk fshihen kurrë.
Sot, kur po flasim për Sahit Jashari, ndoshta duhet të flasim më shumë për veten tonë. Për mënyrën si kujtojmë dhe si harrojmë. Për mënyrën si e kemi kthyer respektin në një ritual të vonuar, që aktivizohet vetëm kur dikush nuk është më.
Le të jetë kjo një thirrje e heshtur për ne të gjallët: mos t’i presim ceremonitë mortore për të thënë fjalët që duhen thënë sot. Mos ta kursejmë respektin derisa të bëhet i pavlefshëm për ata që e meritojnë.
Aman, lëreni Sahit Jashari të prehet i qetë. Pa zhurmë të tepërt, pa fjalë që vijnë me vonesë. Le të mbetet kujtimi për të i pastër, i qetë, ashtu siç duhet të jetë për një njeri që e ka kryer detyrën e vet.
Dhe mbi të gjitha, le të ndryshojmë diçka te vetja jonë. Sepse nëse vazhdojmë kështu, do të vazhdojmë të shkruajmë fjalë të bukura… por gjithmonë me vonesë.

