Kryetari i Komunës nuk e mbajti fjalën, gjendja e banesave kolektive – sot sikur para një viti
Para një viti, pikërisht më 12 qershor, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni kishte premtuar fasadimin e banesave kolektive në Gjilan.
“Së shpejti fasadë e re për ndërtesat e vjetra të qytetit”, kishte deklaruar ai, sipas lajmit të publikuar në faqen zyrtare të Komunës.
Nisma ishte përshëndetur veçmas nga banorët e lagjes Iliria (Kamnik), të cilët po i ‘vret’ në heshtje asbesti, një material ky kancerogjen, i cili askund në botë nuk përdoret prej vitesh.
Sot jemi një vit pas dhe asgjë nuk ka ndryshuar nga gjendja e atëhershme. I vetmi ndryshim është prerja e drunjve dekorativë, për ta shëmtuar edhe më shumë ambientin.
Kryetari i Komunës nuk e ka mbajtur fjalën.
Ky kompleks banesor, që përbëhet prej 6 ndërtesash, është ndërtuar në vitet e 80-ta dhe asnjëherë deri më tani nuk është rinovuar.
Grimcat e këtij materiali shpërndahen në vazhdimësi në ajër, sidomos kur ka erëra më të forta.
Çatitë prej asbesti dhe fasadat e vjetra e shëmtojnë shumë këtë lagje, e cila nuk është më shumë se 300-400 metra nga qendra e qytetit.
Ambienti publik, ambienti ku rriten fëmijët tanë, ambienti ku jetojmë, duhet të jetë sa më miqësor për banorët./Mediafokus.info

