Gjuha si urë, jo si pengesë – Sanja Kamberska, maqedonasja që e dashuron shqipen
Në një shoqëri multietnike si Maqedonia e Veriut, mësimi i gjuhës së “tjetrit” mbetet një nga rrugët më të sigurta drejt mirëkuptimit dhe bashkëjetesës.
Sanja Kamberska Pejoviç, e diplomuar në gjuhën shqipe dhe përkthyese e autorizuar, ndan përvojën e saj mbi rëndësinë e gjuhëve si pasuri personale dhe shoqërore.
Në intervistën për agjencinë e lajmeve INA, ajo thotë se e adhuron gjuhën shqipe.
INA: Çfarë ju motivoi fillimisht ta mësoni gjuhën shqipe dhe si ka ndryshuar perceptimi juaj për kulturën shqiptare gjatë këtij procesi?
Motivimi im fillestar ishte praktik – komunikimi me njerëzit e përditshmërisë, kolegët, miqtë dhe një kuptim më i mirë i mjedisit ku jetoj. Me kalimin e kohës, mësimi i gjuhës nuk ishte më vetëm një aftësi teknike, por një dritare drejt kulturës. Fillova ta përjetoj kulturën shqiptare më afër, të kuptoj vlerat, traditat dhe mënyrën e të menduarit, gjë që e zvogëloi ndjeshëm distancën dhe stereotipet.
INA: Në përvojën tuaj, si ndikon mësimi i një gjuhe tjetër në ndërtimin e urave mes komuniteteve në një shoqëri multietnike si Maqedonia e Veriut?
Mësimi i një gjuhe tjetër kontribuon drejtpërdrejt në ndërtimin e besimit dhe respektit. Kur flet në gjuhën e dikujt tjetër, tregon hapje dhe dëshirë për lidhje. Kjo i zvogëlon keqkuptimet dhe krijon hapësirë për komunikim të sinqertë. Në një shoqëri multietnike si e jona, kjo është një nga mënyrat më të fuqishme për ndërtimin e urave dhe bashkëjetesës.
INA: A mendoni se njohja e gjuhëve të ndryshme është një pasuri personale apo edhe një domosdoshmëri shoqërore në kohën e sotme? Pse?
Të dyja. Si vlerë personale, gjuhët e pasurojnë individin – zhvillojnë empatinë, mendimin kritik dhe vetëdijen kulturore. Por në kohën e sotme, veçanërisht në shoqëri multikulturore, kjo bëhet edhe një domosdoshmëri shoqërore. Gjuhët janë mjet për integrim, bashkëpunim dhe përparim.
INA: A keni hasur në paragjykime për shkak të zgjedhjes suaj për të studiuar gjuhën shqipe?
Personalisht nuk kam pasur dhe ende nuk kam paragjykime. Megjithatë, shumica e atyre që e studionin gjuhën e bënin vetëm për të pasur njohuri bazë – po flas për maqedonasit – pa e parë si një perspektivë afatgjatë. Nuk shihej si një mundësi për të ardhmen.
INA: Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve që hezitojnë të mësojnë gjuhën e “tjetrit”, sidomos në kontekste ku ekzistojnë paragjykime kulturore?
Mos e shihni gjuhën si pengesë, por si mundësi. Me çdo gjuhë të re fitoni një këndvështrim të ri mbi botën.
Paragjykimet më së shpeshti vijnë nga mosnjohja dhe gjuha është çelësi që i hap ato dyer.
Mësoni nga kureshtja, jo nga detyrimi dhe do të kuptoni se dallimet nuk na ndajnë, por na pasurojnë.

