Gjykata ia ndalon 86-vjeçarit italian martesën me shqiptaren 35 vite më të re
Një martesë e pazakontë në Mugello, në zonën e Firences, është ndaluar pas dyshimeve të ngritura gjatë procedurave të martesës mes një 86-vjeçari italian dhe një gruaje me origjinë shqiptare, 35 vite më të re, transmeton express.
Sipas medias italiane La Nazione, 86-vjeçari kishte mbetur i ve prej pak kohësh dhe u kishte shprehur familjarëve dëshirën për t’u martuar me 51-vjeçaren shqiptare.
Çifti ishte paraqitur në muajin prill në zyrat e gjendjes civile për të nisur procedurat.
Por gjatë verifikimeve, zyrtari i gjendjes civile vuri re disa elemente që ngritën pikëpyetje mbi gjendjen e të moshuarit dhe aftësinë e tij për të kuptuar plotësisht vendimin që po merrte.
Sipas raportimeve italiane, 86-vjeçari ishte shfaqur i hutuar dhe nuk kishte qenë në gjendje të shpjegonte qartë arsyet e martesës.
Dyshimet u shtuan edhe pasi u konstatua se ai i kishte dhënë gruas shuma të konsiderueshme parash.
Vëmendje të veçantë tërhoqi edhe një dokument i procedurës së martesës.
Në të ishte zgjedhur regjimi i bashkësisë së pasurisë, ndërsa firma e vendosur në dokument nuk përputhej me një firmë tjetër të 86-vjeçarit, të hedhur më parë përpara zyrtarit të gjendjes civile.
I pyetur për këtë, i moshuari mohoi se firma ishte e tij.
Hetimet ngritën gjithashtu pikëpyetje mbi njohuritë që ai kishte për pasurinë e tij të paluajtshme.
Sipas mediave italiane, ai nuk dukej se kishte një pasqyrë të qartë të pronave që zotëronte.
Përballë këtyre rrethanave, procedura e martesës u ndalua dhe më pas ndërhyri Gjykata e Firences.
Prokuroria ka hapur një hetim për “circonvenzione di incapace”, vepër që lidhet me përfitimin nga gjendja e një personi të paaftë ose veçanërisht të cenueshëm.
86-vjeçari konsiderohet personi i dëmtuar në këtë hetim.
Autoritetet italiane po verifikojnë nëse vendimet e tij janë marrë në mënyrë të lirë dhe të vetëdijshme apo nëse ka pasur ndikim ose përfitim nga gjendja e tij. /Burimi: La Nazione

