Gonxhe Halimi nga Gjilani – studentja më e dalluar në Shkenca Kompjuterike në SHBA
Një tjetër histori suksesi nga Kosova vjen nga Gjilani. Studentja Gonxhe Halimi ka përfunduar me sukses studimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është diplomuar si studentja më e dalluar e gjeneratës në drejtimin Inxhinieri Kompjuterike (Software Engineering), me minor në Rrjeta Kompjuterike (Networking), transmeton albinfo.ch.
Lajmi është bërë i ditur nga nëna e saj përmes një postimi në Facebook, ku shprehu emocionet dhe krenarinë për arritjen e vajzës së saj.
“Një moment krenarie dhe emocionesh të papërshkrueshme. Sot vajza jonë Gonxhe Halimi diplomoi në SHBA si studentja më e dalluar e gjeneratës, duke na bërë jashtëzakonisht krenarë me suksesin, përkushtimin dhe fjalimin e saj frymëzues”, thuhet në postim.
Ajo theksoi se kjo ditë ishte kurorëzim i punës dhe sakrificës së vazhdueshme të Gonxhes, duke e cilësuar diplomimin si një moment të veçantë për familjen.
“E gjithë puna, sakrifica dhe ëndrrat e saj u kurorëzuan në këtë ditë të veçantë. Urime për këtë arritje të madhe, jemi krenarë me ty”, ka shkruar ajo.
Suksesi i Gonxhe Halimit vlerësohet si një shembull frymëzues për të rinjtë në Kosovë, duke dëshmuar se me punë dhe përkushtim është e mundur të arrihen rezultate të larta edhe në universitetet më të avancuara jashtë vendit.

