Haziri e Hoti në takim me të rinjtë: Do t’i tmerrojmë kundërshtarët me punë e me rezultat

Kryeministri i Kosovës dhe kandidati i LDK-së edhe për një mandat qeverisës, Avdullah Hoti, ka gjetur mbështetje të jashtëzakonshme në Gjilan, në takimin ku kanë marrë pjesë 31 votues, të rinj e të reja të kësaj komune.

Kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, njëherësh nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, tha se LDK e ka vendosur që t’ia vazhdojë mandatin kryeministrit Hoti, qeveri e cila do ta zhvillojë këtë vend, për ta kthyer shpresën dhe besën për Republikë.

“Kthimi i kryeministrit në Gjilan për ne është mbështetje dhe është tregues i qartë se LDK do të vazhdojë ta thej atë angazhim të të gjithëve kundër nesh. Uroj që vota e 31 të rinjve e të rejave të jetë një votë tregues për një rezultat të madh për fitoren e LDK-së, më 14 shkurt. Do t’i tmerrojmë kundërshtarët me punë e me rezultat”, ka thënë Haziri.

Ndërkaq, kryetarja e Forumit të Rinisë, Rina Ahmeti, tha se rinia dëshmon fuqinë dhe është e vendosur për ta mbështetur fuqishëm kryeministrin, Avdullah Hoti, në garën e 14 shkurtit.

“Sot rinia e LDK-së në Gjilan demonstron fuqinë, e cila e ka vizionin pro perëndimor, vizion të qartë e kohezion zhvillimor. Rinia  e LDK’së është shumë e vendosur që t’ju mbështesin fuqishëm në rrugëtimin tuaj, z. Kryeminister Hoti.  Populli nuk e do e as nuk e duron lëvizjen e kuqe, e cila ka për qëllim politika shkatërruese. Gjilani frymon LDK”, ka thënë Ahmeti.

Kryeministri Hoti e ka falënderuar kryetarin Haziri dhe të rinjtë e Gjilanit për mbështetjen e madhe të ofruar, për fitoren e madhe të LDK’së.

“Kemi edhe dy javë përpara, është tepër e nevojshme të mobilizohemi dhe të dalim bindshëm në Facebook. Sondazhet dhe ushtria e Facebook, nuk i përcaktojnë zgjedhjet. Zgjedhjet përcaktohen nga ju, rinia, gra e burra e pleq e plaka. Vizioni ynë është për një shtet demokratik, të civilizuar, për integrim në strukturat euro-atlantike. Rinia e ka pasur dhe do ta ketë vëmendjen e plotë në qeverisjen e ardhshme, për të ofruar një arsim cilësor e që i bën të rinjtë e të rejat të njëjtë me ata që shkollohen kudo në Europë”, ka thënë kryeministri Hoti.

Në këtë takim janë prezantuar kandidatët për deputetë nga Gjilani: Lirije Kajtazi, Imet Rrahmani, Valentina Bunjaku Rexhepi, Faton Bislimi e Ramiz Ramadani, njofton LDK e Gjilanit.