Hetuesit e OBSH-së do të shkojnë në Kinë në fillim të janarit për të hetuar virusin

Një ekip ndërkombëtar i udhëhequr nga agjencia e Kombeve të Bashkuara do të shkojë në Kinë në javën e parë të janarit, për të hetuar origjinën e pandemisë së koronavirusit. Kjo u deklarua të premten nga zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë(OBSH).

Eksperti i OBSH-së, Mike Ryan, tha se ekspertët ndërkombëtarë do të shkojnë në qytetin kinez të Wuhan, ku u zbuluan rastet e para të COVID-19 dhjetorin e kaluar, shkruan A2CNN.

“Ne ende nuk kemi një datë të saktë, sepse jemi duke punuar në logjistikën rreth vizave dhe fluturimeve. Presim që ekipi të shkojë atje në javën e parë të janarit. Do të ketë rregullime karantine”, tha Ryan në një konferencë shtypi.

“Ekipi do të vizitojë Wuhan-in dhe qëllimi i misionit është të shkojmë në pikën origjinale në të cilën u zbuluan rastet njerëzore. Ata do ta bëjnë këtë”, shtoi ai.