Hoti: Marrëveshja e Uashingtonit që e nënshkruam ne i solli Kosovës shumë të mira

Avdullah Hoti, kandidati i LDK-së për kryeministër, tha të shtunën në Shtime se të gjitha partitë politike në Kosovë, në pushtet dhe opozitë, ishin kundër Marrëveshjes së Uashingtonit, ndërsa tani po heshtin kur po i shohin rezultatet e saj, 1 miliard investime që kanë filluar të alokohen në Kosovë, njohjen nga Izraeli, përfshirjen e ushtrisë sonë në misione paqeruajtëse etj.

“U bënë bashkë të gjithë kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës për të kundërshtuar dhe minuar Marrëveshjen e Uashingtonit, të cilën e nënshkrova me presidentin Trump. Disa kishin paranoja për thika dhe harta, për gjoja copëtimin e Kosovës, disa kundërshtonin sepse dëshironin të ishin protagonistë, ndërsa disa të tjerë synonin të sabotonin shtëpinë vet për konsum të brendshëm. Unë dhe partia ime qëndruam fuqishëm, pasi që në Shtëpinë e Bardhë është sublimuar pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës dhe asnjë e keqe nuk vjen nga partnerët tanë historik dhe strategjik”, tha kryeministri Hoti gjatë bashkëbisedimit me banorët e Shtimes.

Hoti e ka falënderuar administratën Biden që në fillim të këtij muaji ka filluar zbatimin e pikës së Marrëveshjes së Uashingtonit për investime amerikane nëpërmes Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).

“Kanë kaluar disa muaj nga kjo marrëveshje historike e Kosovës dhe asnjë e keqe nuk na erdhi. Të mirat e kësaj marrëveshje do ta forcojnë shtetin e Kosovës, do të përmirësojnë jetën e qytetarëve dhe do të na ndihmojnë të integrohemi në NATO, BE dhe OKB”, shtoi kryeministri Hoti.