Hoti në Hajvali: Të dielën janë dy opsione, ai për demokraci dhe opsioni për autokraci

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti, tha sot në Hajvali se më 14 shkurt, qytetarët e Kosovës janë përballë dy alternativave, asaj për demokraci që përfaqësohet nga LDK dhe alternativës së autokracisë që përfaqësohet nga majtistët me shamia të kuqe.  

“Qytetarët e Kosovës, të dielën kanë me ua tregu vendin të kuqve që në 2006-ën, hipur në kamion dhe me megafon, kundërshtonin pavarësinë e Kosovës. Të dielën janë dy opsione, ai për demokraci dhe opsioni për autokraci. Në Kosovë fiton gjithmonë demokracia. Këtyre që me shamia të kuqe po përhapin propagandë, u ka ardhur fundi. Janë pakicë në këtë vend”, tha Hoti.

Kandidati i LDK-së për kryeministër tha si subjekt politik nuk janë dorëzuar për 30 vjet para këtyre që kanë kundërshtuar të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

“Situata është si në vitin 2000, i kemi mbi krye krejt këta me propagandë, por me bekimin e qytetarëve të Kosovës, me bekimin e Zotit dhe të miqve tanë ndërkombëtarë, ne do të fitojmë të dielën”, tha Hoti.

Ai u zotua se investimet e qeverisë në Prishtinë do të vazhdojnë, ndërsa kërkoi mobilizim të madh në mënyrë që në vjeshtë, LDK të rikthehet në qeverisje edhe në kryeqytet, pasi Prishtina ka ngecur këto 8 vite.