Hoxha Fatmir Latifaj flet për pandeminë: Është vërejtje serioze nga Zoti, po bëhet zullum i madh mes njerëzve

Hoxha i njohur nga Mitrovica, Fatmir Latifaj në një prononcim për Mediafokus.info, ka folur për pandeminë Covid-19, për përvojën e tij kur i është bashkëngjitur radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 1998 dhe për atë të pajtimit të gjaqeve.

Për pandeminë, hoxha Fatmir Latifaj ka thënë se është vërejtje serioze nga Zoti.

“Kam thënë se përderisa në disa vende është vepër penale bartja e ferexhes, na sprovoi Zoti tashmë me Covid-19 dhe edhe burrat janë detyru me ngjitë ‘ferexhe’. E kam thënë në formë batute. Është situatë e panjohur për mbarë njerëzimin dhe e lus Zotin që t’i shpërblejë mantelbardhët për punën madhështore. Shpresoj që Zoti do të na shpëtojë. Kjo është një vërejtje serioze hyjnore prej Zotit, për t’iu bërë me dije njerëzve që ju jeni robë të Zotit dhe duhet ta çoni mirë mes veti. Këtu kanë hise gjynahet e mëdha të njerëzimit, në disa vende po bëhet zullum i madh e gjakderdhje e madhe”, ka thënë Latifaj për Mediafokus.info.

Imami i njohur kosovar ka folur edhe për pjesëmarrjen direkte në luftën e UÇK’së, ku e kishte humbur krahun e djathtë, derisa para pak ditësh, ka thënë se mjekët ia kanë hequr një pjesë të granatës nga goja, si mbetje e luftës së fundit.

“UÇK’së iu bashkova në maj të vitit 1998, menjëherë pas sakrificës së familjes së Adem Jasharit, për t’ia bërë një argat Kosovës. Isha 18-vjeçar dhe sapo e përfundova shkollën e mesme të medreses “Alaudin”, në Prishtinë. Iu bashkova njësitit të hoxhës Ekrem Avdiu, i cili ishte komandant nën Brigadën 114 Fehmi Lladrovci, në krye me tashmë dëshmorin Ilaz Kodra”, tha ai.

Për këtë vepër, ai nuk është bërë pishman dhe thotë se nëse rrezikohet atdheu, ai do të jetë ushtar i devotshëm dhe besnik.

“Këtë e bëj për hir të Zotit, anipse jam 80 për qind invalid. Kurrë në asnjë rrethanë nuk jam pishman. E di që një pjesë e ushtarëve janë të zhgënjyër dhe jetojnë në kushte të vështira, por kjo le të mbetet në ndërgjegjen e politikanëve tanë, të cilët shumë pak mendojnë për këtë kategori”, ka thënë ai.

Ndërkohë, përpos punës si imam, Latifaj njihet si një pajtimtar i madh i njerëzve.

“I kam pajtuar prej zënkave bashkëshortore e deri tek gjaqet, pra rastet e rënda. Numri i përgjithëm në të gjitha rasteve, të lehta, të mesme e të rënda, është rreth 100. Fal Zotit, këtë veprimtari e kam zhvilluar prej para luftës”, ka thënë për Mediafokus.info, imami i njohur nga Mitrovica, Fatmir Latifaj./Mediafokus.info/