Humanity First dhe Shoqata AMJ dhurojnë material mbrojtës nga koronavirusi për Policinë Rajonale në Pejë

Humanity First dhe Shoqata AMJ kanë dhuruar material mbrojtës kundër koronavirusi për Policinë Rajonale në Pejë.

Kosova si njëri ndër shtetet më të fundit në rajon që është prekur me koronavirus, këto ditë ka kaluar 70-ditëshin që nga rasti i parë i konfirmuar.

Por, falë masave të Ministrisë së Shëndetësisë, angazhimit të stafit mjekësor, policor, ushtarak etj., është mundësuar që sadopak të ndalet hovi i përhapjes së kësaj pandemie.

Duke e parë gjendjen aktuale në terren, Organizata “Humanity First”, dega e Gjermanisë, në bashkëpunim me Shoqatën “AMJ” ka vendosur t’i dalë në ndihmë Policisë së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë Rajonale në Pejë.

Njëra ndër arsyet e ndihmës është sepse policët janë heronjtë e vërtetë dhe ndër personat më të rrezikuar nga infektimi, meqë janë në frontin e parë në luftimin e këtij virusi.

Sasia e dhuruar përfshinë: 300 shishe dezinfektues për duar, 250 shishe pastrimi me përbërje alkooli, 2000 doreza dhe 300 maska.

Pranim-dorëzimi i materialit u bë në zyret e Drejtorisë Rajonale në Pejë, dhe të pranishëm ishin disa zyrtarë policorë si dhe vullnetarë të kësaj organizate.

Z. Fadil Gashi, nga zyra për informim e Policisë Rajonale të Pejës, ka falënderuar përzemërsisht për bashkëpunimin institucional dhe ofrimin e ndihmës në këtë kohë të vështirë.

Në fund, të dy palët këmbyen mirënjohjet me njëri-tjetrin dhe u dakorduan që bashkëpunimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Në fillim të majit të këtij viti, Humanity First dhe Shoqata AMJ gjithashtu kishin ndihmuar Policinë e Kosovë, përkatësisht Sindikatën e saj për Regjionin e Prishtinës, meqë rast kryetari i kësaj Sindikate, z. Imer Zeqiri, kishte shprehur falënderimin për dhurimin e materialit mbrojtës dhe higjienik./mediafokus.info