I kishte humbur në Antarktik, pronarit i kthehet kuleta pas 53 vjetësh

Kuleta e Paul Grisham-it kishte humbur para një kohe aq të gjatë në fund të botës, saqë ai e kishte harruar krejt. Pesëdhjetë e tre vjet më vonë, burrit 91 vjeç nga San Diego iu kthye prapë kuleta e humbur.

Në kuletë, mes tjerave, ndodheshin kartela identifikuese e forcave detare, leja e vozitjes dhe një kartë me udhëzime se si duhet të veprohet në rast të sulmit bërthamor, biologjik apo kimik, shkruan The Guardian.

Grisham ishtë bërë pjesë e forcave detare më 1948. Ai u bë teknik i motit dhe më pas parashikues i motit. Më 1967, ai u dërgua në Antarktik si pjesë e operacionit “Deep Freeze”, që e kishte për qëllim përkrahjen e shkencëtarëve civilë. Në atë kohë, ai ishte në të tridhjetat, i martuar dhe kishte dy fëmijë.

Kuleta u gjet në vitin 2014 prapa një dollapi gjatë shkatërrimit të një ndërtese në stacionin McMurdo në Ishullin Ross. Për ta gjetur pronarin e saj u nevojitën shumë e-mail-a, mesazhe në Facebook dhe letra të shkëmbyera mes një grupi detektivësh amatorë.

Grishamin e gjeti Sarah Lindbergh përmes Shoqatës së Shërbimit Detar të Motit. Babai i saj, Stephen Decato, kishte punuar për një agjenci që bën hulumtime në Antarktik. Ata gjetën edhe një kuletë tjetër, të cilën ia kanë kthyer familjes së një burri që ndërroi jetë më 2016.