Irani nis sulm masiv me raketa balistike ndaj Izraelit

Irani ka lëshuar një breshëri raketash ndaj Izraelit, tha ushtria izraelite më 1 tetor, pak pasi Shtetet e Bashkuara paralajmëruan për një sulm të pashmangshëm nga Irani.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) konfirmuan në platformën X se raketat ishin lëshuar, ndërsa agjencia zyrtare iraniane e lajmeve IRNA njoftoi në Telegram se Irani kishte lëshuar dhjetëra raketa balistike drejt Izraelit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, urdhëroi ushtrinë amerikane të ndihmonte në rrëzimin e raketave iraniane, tha Shtëpia e Bardhë pasi sulmi filloi.

Biden dhe zëvendëspresidentja Kamala Harris po i ndjekin zhvillimet nga Shtëpia e Bardhë dhe po marrin përditësime të rregullta, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Sean Savett, në platformën X.

Garda Revolucionare e Iranit tha se sulmi me raketa ndaj Izraelit ishte në përgjigje të vrasjes së kreut të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, javën e kaluar, si dhe të liderit të Hamasit.

Irani kishte premtuar se do të hakmerrej për sulmet ajrore izraelite të javëve të fundit që vranë udhëheqësinë e lartë të Hezbollahut në Liban, grupit militant që është cilësuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë krahun e armatosur të Hezbollahut, por jo partinë e tij politike, e cila ka vende në parlamentin libanez. Ndërsa, grupi palestinez, Hamas, është shpallur organizatë terroriste edhe nga SHBA-ja, edhe nga BE-ja.

Më herët më 1 tetor, ushtria izraelite tha se kishte nisur sulme “të shënjestruara dhe precize” brenda Libanit në atë që e quajti një “inkursion të kufizuar” tokësor që filloi gjatë natës, duke shtuar se trupat e saj ishin të angazhuara në “luftime të ashpra” me Hezbollahun e mbështetur nga Irani.

Më herët, një zyrtar i lartë i administratës amerikane kishte paralajmëruar se Irani po përgatitej për të nisur një sulm “të menjëhershëm” me raketa balistike ndaj Izraelit, duke shtuar se do të kishte “pasoja të rënda” nëse një gjë e tillë ndodh.

Zyrtari amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Shtetet e Bashkuara po mbështesin aktivisht përgatitjet e Izraelit për mbrojtje. Anije dhe avionë amerikanë janë vendosur në rajon për ta ndihmuar Izraelin në rast të një sulmi./rel/