Ish-kryeministri i Maqedonisë: Më mirë kuptohem me shqiptarët, sesa me maqedonasit e ‘botës serbe’

Ish-kryeministri dhe lideri i Partisë Popullore VMRO, Ljubço Georgievski, ka reaguar publikisht përmes rrjeteve sociale ndaj deklaratave të fundit të liderit të Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari.

Georgievski ka shpërndarë një video nga intervista e Taravarit, duke e shoqëruar me një koment që ka ngjallur reagime në opinionin publik.

Ai thekson se pas shumë vitesh pavarësi të shtetit, raportet dhe perceptimet politike në vend po marrin një drejtim të ri.

“Pas 35 viteve pavarësi, ka ardhur koha kur me shqiptarët kuptohem më mirë sesa me maqedonasit e botës serbe”, ka shkruar Georgievski në profilin e tij në Facebook.

Reagimi i tij vjen pas deklaratës së Arben Taravarit, i cili në një intervistë ka shprehur vlerësim të lartë për Georgievskin, duke e cilësuar si një nga figurat politike që e ndjek dhe e respekton më së shumti në Maqedoninë e Veriut.

Taravari ka deklaruar se, ndonëse janë takuar vetëm disa herë shkurtimisht, ai i ndjek rregullisht analizat dhe qëndrimet e ish-kryeministrit, duke vlerësuar njohuritë e tij për zhvillimet historike dhe politike në vend, si dhe për raportet Maqedoni–Bullgari.

“Kur i dëgjoj deklaratat e tij, ai është njohës i mirë i historisë dhe i zhvillimeve në Maqedoni, si dhe i marrëdhënieve ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë. Ka analiza të mira dhe unë shpesh e dëgjoj dhe pajtohem plotësisht me të”, është shprehur Taravari.

Në pjesën tjetër të deklaratës së tij, Taravari ka folur edhe për marrëdhëniet ndëretnike dhe orientimin gjeopolitik të shtetit, duke theksuar rolin e faktorit politik shqiptar në kursin euroatlantik të vendit.(INA)