Ismajli: Këta djelmosha na bënë krenarë

Klubi Volejbollistik “Drita”, ekipi i meshkujve, ka siguruar finalen e Kupës së Kosovës. Ata i ka uruar nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli.

‘Krenari dhe arritje e jashtëzakonshme për kryeqytetin e kulturës dhe sportit, Gjilanin tonë, ku ekipi i volejbollit “Drita” ka siguruar finalen e Kupës së Kosovës. Këta djelmosha po na e zbardhin fytyrën drejt hapit të madh për ta sjellë Kupën e Kosovës në Gjilan”, ka thënë Ismajli.

Si institucione, jemi munduar që me forcat tona t’iu dalim sado pak në krahë për t’i mbështetur në fuqizimin e tyre.

E dimë që kurba e mbështetjes nuk është në relacion të drejtë me sukseset e tyre të arritura, por do të jemi bashkë për aq sa kemi mundësi ta bëjmë më të mirën për klubet e qytetit tonë.

Edhe përkundër gjendjes së rëndë pandemike dhe vështirësive financiare për shkak të gjendjes së krijuar, kemi arritur që për këtë fundvit t’i ndajmë edhe rreth 70 mijë euro për mbështetje ndaj tyre.

Faleminderit djelmoshave të K.V. “Drita” për gatishmërinë tuaj për ta sjellë titullin kampion në Gjilan, ka shkruar Ismajli.