Ja si do të mund të shpëtojë LDK-ja, flet analisti

Dorëheqjet e njoftuara të hënën në Lidhjen Demokratike të Kosovës, sidomos ajo e kryetarit Isa Mustafa, pas rezultateve më të dobëta në zgjedhje në historinë e saj po shihen si shumë të vonuara nga njohësit e rrethanave politike në vend.

Pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, Isa Mustafa njoftoi se tërhiqet nga pozita e kryetarit të partisë, duke njoftuar për mbledhjen e kuvendit ku do të zgjidhet kryetari i ri dhe kryesia e re e partisë.

Në një intervistë për GazetaBlic, njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj, vlerëson se kjo dorëheqje e kreut të LDK-së, Isa Mustafa, është e vonuar. Ai madje thekson se, ky proces nuk duhet të ndalet vetëm tek lidershipi.

Ndërkaq, shton se shpëtimi i LDK-së është krijimi i një lidershipi të ri.“Mendoj se kjo është e vonuar si dorëheqje për shkak se LDK-ja e ka pa edhe vet që opnioni publik e ka fajsuar shumë lidershipin e LDK-së, rrëzimin e qeverisë Kurti në atë kohë dhe e ka pa që para se me hy në proces zgjedhor mund të dalin në një rezultat tepër negativ.

Unë mendoj se kjo është dasht me ndodh edhe në atë kohë, pra me jep dorëheqje lidershipi dhe kandidati i cili propozohet nga ata për kryeminister me qenë njëkohësisht edhe kryetar i partisë por në atë kohë nuk kanë vepru kështu dhe tash pasi kanë pësuar disfatën në këto zgjedhje, kanë fillu me marrë veprime.

Sidoqoftë tashmë ka filluar ky proces dhe mendoj se nuk duhet të ndalen vetëm te lideri, por edhe kryesia dhe një kategori e madhe e njerzëve që kanë qenë vendimarrës për LDK-në, duhet me marrë përgjegjësin e tyre dhe duhet me u largu dhe ajo çfarë do ta shpëtojë LDK-në është një lidership i ri apo një grup i njerzëve të ri që do të udhëheqin Lidhjen Demokratike tash e tutje”, thotë Demhasaj për GazetaBlic.

Demhasaj për GazetaBlic, thotë se në këtë rezultat të LDK-së, ka ndikuar largimi i Vjosa Osmanit dhe prishja e koalicionit me Vetëvendosjen.

“Ka ndikuar edhe largimi i Osmani ose qasja e LDK-së karshi Vjosa Osmanit, por unë mendoj se më tepër ka ndikuar prishja e koalicionit me VV-në dhe rrëzimi i qeverisë Kurti sepse ishte ndërtuar një shpresë në atë kohë në elektoratin e LDK-së, i cili u quajt kolacioni i shpresës mes LDK-VV ”, thotë Demhasaj.Demhasaj shton se, tani LDK-së i duhet antarësimi i njrëzve të rinjë.

“Mendoj se LDK-ja e ka marrë mësimin e fundit në këtë proces zgjedhor dhe ajo se çfare duhet të bëjë LDK-ja është të fillojë me reforma të thella në parti, të sheh aty ku janë problemet nëpër degë sepse nuk është problem vetëm qendra por edhe dega, aty ku kanë pas rezultat të mirë e tash kanë pësuar, atëherë duhet të marrin masa në ndryshimin e strukturave në ato degë që kanë pësuar humbje e kjo duhet të fillohet me anëtarësimin të njerzëve të rinjë që kanë vizion të qartë dhe njëkohësisht ky vizion të lidhet edhe me qendren dhe lidershipin kryesor”, thotë Demhasaj.