“Jam ende këtu, ende gjallë, ende duke luftuar me sëmundjen edhe pse ju më keni harruar”

Ish-afaristi Shyqeri Mehmeti nga Gjilani vuan nga probleme shëndetësore prej gati 11 vitesh.

Ai është tërhequr nga aktiviteti biznesor dhe jeta urbane, por nuk është dorëzuar para sëmundjes së rëndë.

Pjesa më e dhimbshme s’ka qenë sëmundja, por fakti që shumë njerëz ia kthyen shpinën.

U larguan pa një fjalë. Si të mos vlente më. Sikur jeta e tij të kishte mbaruar që atëherë.

Por ai është këtu, mes nesh dhe vazhdon të jetojë, në fshatin e lindjes, në Gumnishtë.

Jam ende këtu!

Që nga nëntori i vitit 2014, kur më diagnostikuan me kancer në mushkëri, jeta ime ndryshoi rrënjësisht.

Askush nuk priste që të mbijetoj gjatë. Por ja ku jam – ende gjallë, ende duke luftuar, edhe pasi përballova kancerin e dytë dhe më hoqën një veshkë.

Nuk ka qenë e lehtë.

Pjesa më e dhimbshme s’ka qenë vetëm sëmundja, por fakti që shumë njerëz më kthyen shpinën.

U larguan pa një fjalë. Si të mos vleja më, vetëm pse isha i sëmurë. Sikur jeta ime të kishte mbaruar që atëherë.

Por unë nuk u dorëzova.

E gjeta forcën te vetja, te natyra, te puna në fshat, te çdo ditë që zgjohesha ende gjallë.

E kuptova që jeta vazhdon – edhe kur të tjerët ndalojnë së besuari tek ti.

Kjo është për të gjithë ata që janë ndjerë të harruar, të vetëm, të braktisur.

Ju jeni më të fortë sesa mendoni. Dhe sëmundja nuk e heq dinjitetin tonë – e nxjerr edhe më shumë në pah.

Sot nuk po kërkoj keqardhje. Po ndaj të vërtetën time.

Sepse heshtja më nuk me mbron-fjala po!/Mediafokus.info