Kjo është shtëpia ku ishte strehuar Mulla Idriz Gjilani
Kjo shtëpi e rëndomtë për nga dukja, e ndërtuar thjesht, me drurë e baltë, e gëlqerosur goxha vonë, sa për t’ia nxjerrë bardhësinë edhe jashtë, është e veçantë jo vetëm për arsye se në të janë rritur shumë breza të familjes Sadiku, por më shumë për faktin se brenda mureve të saj është shkruar historia e kombit në kohët më të vështira.
Mulla Idiz Gjilani i kaloi në këtë shtëpi të familjes Sadiku vitet e fundit të jetës së tij, shkruan Mediafokus.info.
Brenda kësaj shtëpie, në një dhomë të saj, dikur u strehua një legjendë e luftës së Gjilanit, i cili qëndroi në ilegalitet plot 5 vite.
Pas sulmit euforik në Gjilan, më 23 dhjetor 1944, që ishte bërë pa pëlqimin dhe bekimin e Mulla Idriz Gjilanit, shokët e luftës, të besueshëm, e strehojnë Mulla Idrizin në fshatin Tugjec e pastaj te familja patriotike Sadiku në Gjyrishec.
Aty qëndroi pesë vjet me popullin e vetë dhe në kontakt të përhershëm me Lëvizjen e Rezistencës, derisa u zbulua dhe u burgos.
Historianët e cilësojnë Mulla Idriz Gjilanin si një personalitet me përmasa legjendare, për faktin se tërë jetën e tij luftoi për bashkim të trojeve etnike. Ishte udhëheqës i pa epur, frymëzues, guximtar e sakrifikues.
Është epike thënia e tij: “Kosova është tokë e shenjtë, që na e kanë lënë baballarët tanë, që edhe ata vetë e trashëguan prej gjyshave e të parëve të tyre”.
Në çdo vend ku diskutohej për çështjen kombëtare, Mulla Idriz Gjilani jepte mesazhin e paqes dhe të tolerancës: “Kemi tri fe, por kemi vetëm një atdhe të përbashkët, një gjak vëllazëror, një gjuhë, një diell e një Zot. Detyrë mbi detyrë kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut”.
Ishte njeri i penës dhe i pushkës, i cili dijen dhe guximin për veprim e kishte në proporcion të barabartë.
Ai e mbylli jetën e tij në nëntor 1949, i pamposhtur përballë torturave të UDB-së.
Për shumë vite, mbeti i anatemuar dhe i pastudiuar nga shkenca e historisë, por i paharruar në kujtesën e popullit.
Mulla Idriz Gjilani e sintetizoi në mënyrë praktike teorinë shkencore se pa atdhe nuk ka fe.
Historiani Jusuf Buxhovi, në librin e tij më të ri për Kosovën, ka thënë se Mulla Idriz Gjilani ishte një personalitet me vlera të larta.
“Mulla Idriz Gjilani paraqet personalitetin më të rëndësishëm të lëvizjes antifashiste, anti–slave dhe anti–komuniste në këtë hapësirë. Kjo lëvizje ishte e para në Europë kundër komunizmit, e bashkë me të edhe kundër okupimit të tokave shqiptare nga forcat sllavo – komuniste”.
Mulla Idriz Gjilani, udhëheqës i Lëvizjes për Çlirim Kombëtar, për gjysmë shekulli i shërbeu kombit të tij. Për këto merita, Mulla Idriz Gjilanit, në vitin 2012 iu akordua titulli “Urdhri i Lirisë” nga presidentja e Kosovës.
Komuna e Gjilanit dhe kryetari i saj Lutfi Haziri e kanë vendosur në qendër të qytetit shtatoren e heroit Idriz Gjilani.
Mulla Idriz Gjilani ishte mbytur me torturë. Trupin ia kishin djegur, kurse eshtrat ia kishin groposur në një vend të panjohur, por që gjithmonë është supozuar të jetë diku te kodra e quajtur Gllama.
“Dëshira ime jetësore është që me duart e mia t`i varros eshtrat e babait dhe t`u la një varr trashëgimtarëve të familjes së Mulla Idrizit dhe popullit të Gjilanit”, thotë djali i tij, Isaja. /mediafokus.info