Konfirmon Belgjika: Pjetër Shala do të dërgohet në Hagë

Më 16 mars të këtij viti, Pjetër Shala, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është arrestuar nga autoritetet e Belgjikës me kërkesën e Gjykatës Speciale. Kjo e fundit, ka njoftuar se Shalës, që gjatë kohës së luftës njihej me nofkën “Ujku”, i ka ngritur aktakuzë për krime lufte.

Por ndonëse kanë kaluar më shumë se një javë që nga arrestimi i tij, Pjetër Shala po vazhdon të mbahet në Belgjikë, ku edhe jetonte para arrestimit, në pritje të ekstradimit për në Hagë.

Lexo Edhe:
Gashi flet për ardhmen e tij politike: Partitë opozitare në Obiliq i paska kapur frika pas dorëheqjes time
Megjithëse ende nuk dihet se kur Shala do të ekstradohet për t’u përballur me gjykimin në Speciale, Ministria e Drejtësisë së Belgjikës ka konfirmuar të mërkurën për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se procedura për dorëzimin e tij në duart e autoriteteve të Hagës ka nisur dhe janë duke vazhduar.

Në përgjigjen e tyre, thuhet se arrestimi dhe transferimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së bazohet në ligjin belg për bashkëpunimin me Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

“Arrestimi dhe transferimi i Pjetër Shalës bazohet në Ligjin Belg të vitit 2004 mbi bashkëpunimin me Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe Tribunalet Penale Ndërkombëtare dhe jo në legjislacionin e zakonshëm për arrest dhe ekstradim”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë belge të Drejtësisë për Reporteri.net.