Kosovari Aulon Nura diplomon në Inxhinieri Hapësinore në Suedi me veshje kombëtare

Një tjetër histori suksesi shqiptare vjen nga Suedia, ku Aulon Nura, me rrënjë nga Kosova, ka përfunduar me sukses studimet master në Inxhinieri Hapësinore në KTH Royal Institute of Technology, një nga universitetet më të njohura teknike në Evropë, shkruan albinfo.ch.

Pas përfundimit të studimeve, ai është angazhuar profesionalisht në OHB Sweden, kompani suedeze e specializuar në industrinë e prodhimit të satelitëve dhe teknologjisë hapësinore.

Atje, Auloni po aplikon njohuritë dhe përvojën e fituar gjatë viteve të studimeve në fushën e inxhinierisë së avancuar.

Gjatë ceremonisë së diplomimit, ai tërhoqi vëmendje edhe me një simbolikë të veçantë kulturore, duke u paraqitur me veshje kombëtare shqiptare.

Ky gjest u pa si një mënyrë dinjitoze për të përfaqësuar identitetin dhe origjinën e tij shqiptare në një moment të rëndësishëm akademik.

Arritja e tij konsiderohet një sukses frymëzues për të rinjtë shqiptarë në diasporë, veçanërisht në fusha të avancuara si teknologjia hapësinore dhe inxhinieria moderne.