Kosovë, ‘nuk jemi as të parët e as të fundit’

Këtë verë Evropa pret të arrijë «imunitet kolektiv» e Kosova sikurse të gjitha shtetet e këtij kontinenti duhet të tregohet e diciplinuar, përkundër të gjitha vështirësive që sjellë kjo diciplinë.

Momentalisht është virusi ai që po vendosë! Lufta jonë ndaj tij, është e përbashkët.

Secili prej nesh duhet të marr veten pak më në lartësi për tu qetësuar.
Sigurisht, javët e ardhshme nuk do të jenë më të thjeshtat, më të lehtat por shkenca (vaksinat) dhe qëndrueshmëria e pabesueshme ekonomike e bërë e mundur me mjete dixhitale po na ndihmojnë të dalim nga një krizë shëndetësore në një shkallë të paimagjinueshme vetëm një vit më parë.

Ju kujtohet ku ishim një vit më parë ❓
Sa e sa kritika bëheshin për vaksinat e para, toni duhej të ishte i kujdesshëm, për të mos thënë një farë mosbesimi ndaj njoftimeve nga prodhuesit Pfizer / BioNTech dhe Moderna, që sollën në treg këtë lloj të ri vaksinash.

Për ta kaluar këtë periudhë së bashku, pos diciplinës duhet durim dhe shumë shpresë. Duhet mbi të gjitha të pranojmë se nuk jemi « as të parët e as të fundit » që duhet ta obligojmë veten që të respektojmë masa të cilat aspak nuk na pëlqejnë.

Çfarë është e rëndësishme të kuptohet, se, pas çdo vdekjeje qëndron një fytyrë e dashur që është zhdukur përgjithmonë dhe se i vetmi fund i vërtetë është vdekja, çdonjëri mund të ngrihet nga humbja financiare, por jo nga varri.

Nuk na ndihmon asgjë revolta ndaj qeverive që marrin masa parandaluese kundër pandemisë.
Duhet të revoltohemi ndaj mosdurimit tonë. Jo gjithëçka që parashohim të bëhet dhe bëhet kur duam ne.

Asnjë nga njëzet e shtatë vendet e Evropës nuk e kishte arritur qëllimin për të vaksinuar 80% të njerëzve mbi moshën 80 vjeçare deri në fund të marsit, por përshpejtimi i dërgesave të vaksinave do të lejojë që BE të arrijë “imunitetin kolektiv” kundër Covid-19 këtë verë, ka thënë Komisioni Evropian.

“Ne donim të vaksinonim (deri në fund të tremujorit të parë) 80% të popullsisë mbi 80 vjeç dhe stafin infermieror (…)
Asnjë shtet anëtar i BE nuk e ka arritur këtë objektiv, për arsye të ndryshme”, ka thënë sot një zëdhënës i ekzekutivit evropian, përcjellë lajmin Tribuna e Gjenevës.

Shumë herë ndodhë, kur rrugët janë të panjohura, udhëtimi të bëhet më i ngadalshëm apo gjatë udhëtimit të ballafaqohesh me të papritura.

Sipas statistikave nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, që përfshinë 23 vende, rreth 60% e njerëzve mbi 80 vjeç kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës Covid deri me 5 prill, dhe vetëm 29, 7% kanë marrë të dyja dozat duke i mundësuar atyre pra vaksinim të plotë.

Në Kosovë, prej sot fillojnë disa masa të reja për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Këto masa për shumë prej nesh, duhet të jenë edhe më të shtrënguara në raport me gjendjen që mbretëron veçmas në spitale. Është periudhë kalimtare dhe çdo kush prej nesh duhet të tregohet edhe solidar me tjetrin duke ndihmuar me atë që ka dhe që di.

Si asnjëher, ruajeni e duajeni jetën duke qenë të disiplinuar në respektimin e rregullave në fuqi dhe ushqeni durimin e juaj se e nesërmja do të jetë më e mirë.

Një popull që ka kaluar shumë sfida është i denjë të kaloj edhe këtë sfidë!        /MLH