Krizë për mjekë në Spitalin e Gjilanit, ndërkohë mbi 20 mjekë të rinj të papunë

Disa reparte në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan rrezikojnë të mbyllen në të ardhmen e afërt në mungesë të mjekëve specialistë.

Mjekët alarmojnë se nuk po mund ta përballojnë kujdestarinë e shpeshtë, të cilën janë të detyruar ta mbajnë shkaku i mungesës së kuadrit specialistik, shkruan Mediafokus.info

Dje, një mjek specialist i ORL-së e ka braktisur punën në Spitalin e Gjilanit pas 18 vitesh, për shkaqe ekonomike dhe familjare dhe është kthyer në Preshevë.

Ndërkohë Spitali ka hapur konkurs për pesë mjekë specialistë: një specialist i Kardiologjisë, dy specialistë të Mjekësisë Emergjente dhe dy specialistë të Radiologjisë.

Kujtojmë se në vazhdimësi ka ikje të stafit mjekësor nga institucionet publike të shëndetësisë në Kosovë.

Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 580 mjekë janë larguar nga Kosova – vend me 1.7 milion banorë – në periudhën 2018-2021.

Në anën tjetër, vetëm në Gjilan presin punë mbi 20 mjekë të rinj, të cilëve as nuk u mundësohet të punojnë dhe as nuk hapen specializime për ta.

Komuna e Vitisë është shembull i mirë sa i përket këtij problemi. Atje, mjekët sistemohen në punë ditën që licencohen, gjë që nuk ndodhë në Gjilan.

Pra, nuk është krejt problemi se në Kosovë nuk ka mjek, por se ka politika të gabuara shëndetësore.

Kosova po i thërret mjekët të kthehen nga jashtë, ndërsa këta që i ka këtu, brenda, po i lë rrugëve.

Ministria e Shëndetësisë, njëmend nuk është kërkah./Mediafokus.info