“Kumaria” e qeverisë me oligarkët

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, thotë se vendosja e tarifës nga KEDS-i prej 7,7 euro për rikyçje në energji elektrike është formë e plaçkitjes ndaj qytetarëve.

“Na jemi mësuar me dëgju lajme të këqija në këtë vend çdo ditë, befasohemi me dëgju diçka të mirë. KEDS-i e a bërë që kur të vjen fatura e dytë, nëse se keni paguar të parën, ta shkyçin rrymën. Për ta rikyçur pastaj, nëse i keni pasur 5 euro borxh duhet njëfar dënimi apo mëditje me ua pagu atyre që vijnë për me e rikyç. Kjo është formë e plaçkitjes”, tha ai për Front Online.

Sipas Shatrit, shteti nuk do duhej të lejojë vendime të tilla, por kjo po ndodhë pasi vetë qeveria ka lidhur bashkëpunim me oligarkët.

“Këta që bëjnë distribuimin e rrymës janë ndërmarrje private, meqenëse e kanë marrë këtë punë në privatizim, shteti ish dashtë me i ndalë dhe mos t’i lejoj të bëjnë veprime që janë në kundërshtim me marrëveshjen bazike. Siç duket qeveria ka hyrë në njëfarë “kumarie” me këta oligarkët…”, deklaroi ish ministri.